“Të huaj jemi ne prej kohësh, ç’ish për t’u thënë është thënë”

0
268

Të huaj jemi ne prej kohësh
Ç’ish për t’u thënë është thënë,
Si gurët që zënë vend në tokë,
Në jetë vend ne kemi zënë.

Drejt njëri-tjetrit kemi mbyllur
Të gjitha rrugët edhe shtigjet,
Si dy qytete mesjetare
Me mure, heshta dhe me pirgje.

Por natën, kur i lodhur truri
Portat i mbyll me qetësi,
Ti gjen një shteg dhe futesh brenda,
Një shteg që vetëm ti e di…

Pastaj si në rrugica parqesh,
Shetit mes cirkovolucionesh,
Hyn nëpër ëndrra e shkujdesur,
Fanitesh, qesh, ma bën me dorë.

Por, kur mëngjesi ze afrohet,
Nis shqetësohesh befas ti,
Dhe heshturazi del përjashta
Nga shtegu, qe del veç ti

E dita vjen. Rrjedh prapë jeta.
Dhe ne të dy si dhe më parë
Të ftohtë rrimë e të pamposhtur
Si dy qytete mesjetare.

– poezi nga Ismail Kadare