“Të gjithë po ikim prej diçkaje, pa u ndalur asnjë sekondë”

0
68

Nga Luljeta Lleshanaku

Me diellin në shpinë, pa kthyer kokën pas,
në hyrje të metrosë sa nuk i thyejmë këmbët njëri-tjetrit.
Për ku po nxitojmë kaq fort,
prej ç’gjëje po ia mbathim?
Ai shkollar gjysmë i përgjumur mezi pret t’i ikë fëmiëjrisë;
qimet e sapodirsuara në trup dhe zëri i trashur
e përgatisin për dimër.
Vajza aziatike, me një palë kufje në vesh, po i ikën karmës.
Djaloshi me kitarë në dysheme, me siguri biri i një pastori
a avokati,
po ia mbath prej gjeneve. Dhe gruaja shtatzënë-prej
lëkurës së saj.
Ajo madje as që e vë re vrimën
që konduktori gjysmë i përgjumur i shtyp në biletë.
Ai burrë i rruar taze, me jakë të kollarisur e kravatë,
duket si një shtrat i rregulluar me kujdes,
për të maskuar makthet e natës.
Të gjithë po ikim prej diçkaje. Pa u ndalur asnjë sekondë.
Duke kërkuar me sy një ishull, si zogjtë në mes të oqeanit.
Prej kujt po ia mbath kjo zonjë e moshuar?
A nuk duhet të ishte duke vjelë kajsi në kopshtin pas
shtëpisë tani?
Kurse në krah të saj, ai djalosh me uniformë shërbimi
ka emrin dhe stampën e hotelit në gjoks,
duhet të punojë recepsionist apo përgjegjës ashensori,
merret vesh qartë.

Tani të gjithë sytë prehen lirshëm përmbi të,
si mbi një statujë lakuriqe të mes të parkut.

*Titulli i origjinalit: “Në ikje”