“Të gjithë janë të lumtur nëpër kafene, vetëm muret e shtëpive të tyre e dinë të vërtetën”

0
482

Poezi nga Shpëtim Selmani

budallallepsja është stil.
të jetuarit në botën paralele të famës,
është një marrëzi.
të gjithë po e bëjnë.
jeta është në celular.
jashtë saj është realiteti
që askush nuk e honeps.
të gjithë jetojnë sipas
parimeve që burojnë
nga ego dhe kokëfortësi
të ulura në divanin e mbijetesës.
nuk ka përkatësi të përbashkët.
çdo qenie njerëzore sot
është e të gjithëve,
çdo qenie njerëzore sot
nuk është e askujt.
të gjithë qeshin në shesh,
të gjithë janë të lumtur nëpër kafene,
vetëm muret e shtëpive të tyre
e dinë të vërtetën.
të gjithë janë vetmitar
ndërkohë secila natë i
përplasë në shtretër të ndryshëm.
ballkonet janë vende të shenjta,
nga ku mund të qajnë
dhe të thithin cigaret e tyre,
një luftë e pambarimtë në mes
një metafizike të përgjakur
dhe në mes një post-modernizmi
të egër deluziv.
edhe ajo që është e përsosur
është e padurueshme*

*sipas Thomas Bernhard..