“Të gjitha institucionet qendrore dhe lokale, duhet t’i ndalin urgjentisht seminaret, punëtoritë dhe format tjera të organizimit ku ka grumbullim njerëzish”

Nga Armend Zemaj, ministër i Shëndetësisë
Me qarkore, kemi informuar të gjitha institucionet qendrore dhe lokale, Policinë e Kosovës, Inspektoratin Shëndetësor, Inspektoratin Sanitar dhe palët tjera që kanë pjesëmarrje të drejtpërdrejtë në luftën kundër virusit Covid 19, të zbatojnë vendimet e reja në pajtim me situatën.
Të gjitha institucionet qendrore dhe lokale, duhet t’i ndalin urgjentisht seminaret, punëtoritë dhe format tjera të organizimit ku ka grumbullim njerëzish, sikurse edhe veprimtaritë e ndryshme, të panevojshme. Rekomandohet të përdoren format on-line të takimeve, të punës dhe aktivitetet tjera.
Policia e Kosovës dhe të gjitha inspektoratet pa dallim, bashkë me komunat dhe shtabet emergjente, duhet të veprojnë urgjentisht në parandalimin e përkeqësimit të situatës.
Së bashku, inspektimet duhet të vazhdojnë me ritëm të shtuar, gjobat të jepen sipas Ligjit për luftimin e pandemisë Covid-19 dhe të zbatohet me përpikëri, pa përjashtim.
Secili institucion të ketë veprime në pajtim me ligjin dhe në ditët në vijim do të ketë raportim për aktivitetet e ndërmarra për të parandaluar një valë tjetër, e cila në rrethanat edhe të gripit sezonal dhe viruseve tjerë eventual, mund të shkaktojnë përkeqësim të situatës së pandemisë.
Po ashtu, testimet nëpër shkollat në nivel vendi, po vazhdojnë. Deri më sot, 410 shkolla janë testuar, 10 prej tyre me rekomandim të IKSHPK-së kanë kaluar nga skenari A në skenarin C. Këtë javë, tri nga to, kanë kaluar në skenarin C.
Testimet sot kanë arritur rekord brenda 24 orëve. Janë bërë 1.028 teste, prej tyre janë 148 raste pozitive e asnjë rast të vdekjes nga Covid 19.
E gjitha çfarë na duhet në këtë kohë është: disiplina, maska, distanca dhe higjiena duhet të zbatohen në mënyrë rigoroze.
Duke mbrojtur veten, mbrojmë familjen, njëri-tjetrin dhe shtetin.
Bashkë ia dalim!