Të flasësh përmes karficave – Madeleine Albright shpjegon pse shkak i tyre ishte Saddam Hussein

0
315

Ish sekretarja e shtetit të SHBA Madeleine Albright flet troç për politikën dhe diplomacinë, duke promovuar idenë se çështjet e grave meritojnë një vend në qendër të politikës së jashtme. Larg nga të qenit një çështje “e butë”, ajo thotë se çështjet e grave janë shpesh-herë më të vështirat duke qenë se kanë të bëjnë direkt me jetën dhe vdekjen.

Ajo njihet si ‘zonja e karficave’, gjithmonë ka një të tillë, përmes të cilave përqon mesazh.

Ka njerëz në botë që studiojnë karficat e saj, ata që merren me diplomacinë, për të kuptuar mesazhin që ajo dërgon përmes tyre në takime apo vizita.

Në një nga intervistat e saj tregon se si filloi të përdorte ato.

“Kur zgjohem në mëngjes, shumicën e kohës e shpenzoj duke u përpjekur të kuptoj se çfarë do të ndodhë. Historia e karficave nuk do të kishte ndodhur po të mos kishte qenë shkak, Saddam Hussein. Do t’jua tregoj se çka ka ndodhur. Unë shkova në Kombet e Bashkuara si ambasadore. Kjo ndodhi pas Luftës së Gjirit. Dhe unë isha ambasadore e udhëzuar. Armë pushimi ishte përkthyer në një seri rezolutash sanksionuese, dhe udhëzimet e mia ishin pikërisht, që të thoja gjëra të tmerrshme për Saddam Hussein-in, gjë që ai e meritonte — sepse kishte pushtuar një tjetër shtet. Dhe krejt papritur, një poemë u shfaq nëpër gazetat e Baghdad-it që më krahasonte mua me shumë gjëra, por në mes tyre me një gjarpër të pashembullt. Dhe rastësisht, unë kisha një karficë me gjarpër. Kështu që e vendosa kur biseduam për Irakun. Dhe kur dola jashtë të takohem me gazetarët, ata më ngacmuan dhe thanë; “Pse e keni vendosur atë karficë me gjarpër?” e unë ua ktheva: “Sepse Saddam Hussein-i më krahasoi me një gjarpër të pashembullt.” Me vete mendova, kjo ka filluar të bëhet argëtuese. Kështuqë dola e bleva një mori karficash që në fakt, do të reflektonin atë që unë mendoja se do të bënim në ditët në vijim. Dhe ja…kështu filloi e tëra”, tregon ajo.

Ajo as nuk e di sa shumë ka karfica, madje ka edhe një libër për to – “Lexoji karficat e mia.”

Kur flet se si është komentuar veshja e saj nëpër vite, tregon se si nuk ndodhte e njëjta edhe me mashkujt.

“Ehh, është vërtetë irrituese, realisht sepse askush nuk përshkruan atë që një mashkull vesh. Por njerëzit i kushtonin rëndësi rrobave që unë vishja. Ajo që ishte interesante, ishte se para se të shkoja në Neë York si ambasadore e U.N. bisedova me Jeane Kirkpatrick që kishte qenë ambasadore përpara meje, dhe ajo më tha: “Duhet t’i heqësh qafe rrobat e tua si profesoreshë. Dil atje dhe duku si diplomate.” Kështu që kjo më dha më shumë mundësi që të bëja pazar. Por ende, kishte lloj-lloj pyetjesh si psh., A keni vënë kapelë? Sa i shkurtër ishte fundi juaj? Dhe njëra nga gjërat — nëse ju kujtohet Condoleezza Rice, ishte se ajo kishte veshur çizme në një eveniment, dhe ajo u kritikua rreth kësaj. E asnjë mashkull asnjëherë nuk kritikohet. Por kjo është më e pakta”, thotë ajo.

Ajo është kryetare e bordit të Institutit Kombëtar Demokratik që punon për mbështetjen e grave kandidate.

Ajo beson dhe punon që të ndihmohen vendet e tjera për të trajnuar gratë për të qenë në poste politike, të kuptojnë faktikisht, se si ato mund të zhvillojnë zërin politik.

Ndërsa mendon se duhet të mbështeten kur krijohen biznese dhe të sigurohet që femrat të ndihmojnë njëra-tjetrën.

*

Por, karficat diplomatike shpjegohen saktë në një libër me titull “Read my pins: Stories from a Diplomat’s Jewel Box”, i publikuar nga HarperCollins, raporton OxygenPress.info

Për të sinjalizuar Vladimir Putinin për atë që mendonte në lidhje me krimet e kryera nga rusët në Çeçeni, Albright vendosi tre majmunë – që nuk flinin, nuk shinin dhe nuk dëgjonin.

E nervozuar me Yasser Arafatin për pengesat e vëna në bisedimet për Lindjen e Mesme, Albright zgjodhi të mbante një karficë formë blete në ar, argjend, rubin e granat.

“Doja të isha qëndrestare dhe e ashpër”, ka shpejguar ajo në libër.

Ndërsa kur bisedimet stërzgjateshin, ajo kishte gati një arsenal me bretkosa, karkaleca dhe gaforre.

Po jo gjithnjë sinjalet ishin negative.

Te Nelson Mandela shkoi me një karficë nga më të mëdhat dhe më të quditshmet në botë për faktin ku e vendosi.

“I pëlqyen shumë, ishin simbol i Afrikës”, tregon zonja amerikane, raporton OxygenPress.info

Progresi i negociatave festohej me karfica në formë fluturash ose lule me ngjyra.

Për të përkujtuar 212 viktimat e atentateve në Tanzani e Kenia, në 1998, Madeleine vendosi një engjëll të artë.

Ish-sekretarja dhe ish-ambasadorja kur të jetë të mërkurën në Kosovë, ka shumë gjasa që dikujt t’i përcjellë një gjysmë mesazhi përmes karficës që do e vendos.

Për ta kuptuar saktë, duhet ta lexojmë librin ku i shpjegon./OxygenPress.info