Talat (Fahredin) Veliu, tepsixhi në Preshevë

0
159

Nga Ferid Selimi

Talat Veliu apo aga Talat, siç e njihnin në Preshevë, lindi më 28 qershor të vitit 1928 në Preshevë. Ishte njëri nga dy djemtë e Fahredinit të Berajve të Preshevës. Pati një shkollim vetëm tremujor në Caravajke të Preshevës edhe atë në gjuhën serbe, ndërkohë që shkrimin dhe leximin e mësoi gjatë periudhës kohore sa ishte ushtar në Slloveni.
Aga Talat ishte vetëm tre vjeçar kur i vdiq baba Fahredini. Kushtet e vështira ekonomike bënë që Talati t’i hynte punës herët. Nga mosha 12 vjeçare nis të punonte bari, argat, bujk e prodhues nallanesh, duke u munduar të siguronte jetesën për vete dhe për familjen.
Mes viteve 1960-1965, së bashku me të vëllain Fahredinin, i cili kishte marrë zanatin e teneqepunuesit te Ibrahim Hoxha, nisi të punonte tepsia me dorë. Pesë vite pasi nisi prodhimin e tepsive me dorë, takoi një inxhinier maqedonas, i cili e ndihmoi të bënin makinën për prodhimin e tepsive, e që ishte ndër të parat në rrethinë. Prodhimet e veta i plasonte në të gjitha vendet e rajonit te gjitha vendet e rajonit, Maqedoni, Kosovë, Serbi dhe Bosnje. Aga Talat, këtë profesion e ushtroi gjatë tërë jetës së tij, e më pas ia la trashëgim djalit të tij të vetëm. Ismajlit. Vdiq më 9 nëntor të vitit 2013, duke lënë pas djalin Ismajlin si dhe vajzat: Bahrijen dhe Ismijen, të cilat po ashtu kontribuuan në biznesin familjar.
Në foto Talat (Fahredin) Veliu