Sulmohet gazetari Visar Duriqi

0
677

Gazetari Visar Duriqi nga gazeta në internet, Insajderi, është sulmuar të mërkurën mbrëma nga disa persona të panjohur.

Gazetari Duriqi u trajtua në spital për shkak të plagëve të pësuara gjatë sulmit.

Policia tha se “në bazë të informacioneve të para dyshohet që tre persona të maskuar kanë sulmuar me grushte viktimën në hyrje të banesës së tij duke i shkaktuar lëndime trupore”, por nuk ka njohuri për autorët apo motivet e mundshme të sulmit.

Gazetari Duriqi dhe gazeta Insajderi trajtojnë çështje që lidhen me krimin e organizuar dhe korrupsionin në Kosovë.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës u bëri thirrje organeve të drejtësisë që sa më shpejtë të ndriçojnë këtë rast, “i cili në themel dëmton lirinë e shprehjes dhe medias”.

Në një komunikatë asociacioni tha se do t’i njoftojë të gjithë mekanizmat kombëtarë dhe ndërkombëtarë lidhur me këtë rast dhe njëherësh u bëri thirrje gazetarëve që t’i raportojnë kërcënimet dhe sulmet ndaj tyre.

“Çdo sulm në drejtim të gazetarëve është sulm ndaj fjalës së lirë dhe demokracisë në vend”, thuhet në komunikatë.

Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë u shpreh thellësisht e tronditur me sulmin ndaj gazetarit Duriqi.

“Gazetarët duhet të jenë në gjendje të punojnë në një mjedis të lirë dhe të sigurt”, thuhet në reagim në të cilin u bëhet thirrje autoriteteve që të hetojnë me shpejtësi incidentin dhe të vënë autorët para drejtësisë.

Sulmi e dënoi edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti duke e cilësuar si “sulm ndaj fjalës së lirë”.

“Dhuna dhe tendenca për frikësim të gazetarëve është përpjekje për kufizim të lirisë së shprehjes dhe zhbërje të demokracisë, e cila nuk duhet te tolerohet sepse e drejta e fjalës së lirë është e garantuar me ligj”, shkroi ai në rrjetet sociale.