Sukses i madh për motrat Hajdari, kalojnë në elitën daneze

Danimarka është prej vendeve me hendbollin më të zhvilluar të femrave. Dhe në elitën e këtij vendi prej edicionit të ardhshëm do të luajnë motrat Marigona e Arlinda Hajdari. Është ky një sukses i madh për dy reprezentueset e Kosovës, që kanë shfaqur vlera edhe në ndeshjet në Austri.

Skuadra e motrave Hajdari, Ringkobing, të dielën fitoi bindshëm, 34:19 ndaj Rodovres. Një xhiro para fundit të kampionatit në Ligën B, Ringkobingu ka siguruar pozitën e parë. I ka 37 pikë, tri më shumë se Aalborgu. Me këtë skuadër takohet më 10 prill.

Marigona Hajdari organizoi lojën e Ringkobingut në ndeshjen e së dielës dhe shënoi dy gola. Arlinda mungoi për shkaqe shëndetësore.

Kështu vetëm po vazhdon ngritja në karrierë e lojtareve të Kosovës, që kanë një sfidë të rëndësishme pas disa javësh, kur paraqiten në fazën e parë kualifikuese për Evropian. Synimi është triumfi në grup për të avancuar në kualifikimet e rregullta.

Në elitën e Norvegjisë është promovuar Mirela Gjikokaj me skuadrën Follo. Në elitën e Zvicrës, madje në plejof, paraqiten Kristina Ukaj e Pashke Marku. Në Slloveni luajnë me sukses motrat Mirjeta e Mërgime Bytyqi, ndërsa në Danimarkë bëjnë karrierë edhe Leonora Demaj, Njoma Zogaj, Sara Rexhepi. Albana Arifi ka kohë që është pjesë e elitës së Suedisë.

Gjitha këto, së bashku me lojtarët e klubeve tona që po japin vazhdimisht kontribut të madh dhe me lojtare tjera në vendet evropiane do ta kërkojnë suksesin në Portugali.