Studimi i ri gjen një lidhje mes dritës së diellit dhe një numri më të ulët të vdekjeve nga Covid-19

0
112

Një studim sugjeron se ekspozimi ndaj rrezeve të diellit lidhet me një rrezik më të ulët të vdekjeve nga Covid-19.

“Njerëzit që jetojnë në zona me diell, me nivelin më të lartë të ekspozimit ndaj rrezeve UVA, shoqërohen me më pak vdekje nga koronavirusi krahasuar me ata me nivele më të ulëta”, thanë ekspertët nga Universiteti i Edinburgh-ut.

Faktorët që dihet se shoqërohen me rritjen e ekspozimit ndaj Covid-19 dhe rrezikun e vdekjes – përfshirë moshën, etninë, statusin socio-ekonomik, dendësinë e popullsisë, ndotjen e ajrit, temperaturën dhe nivelet e infeksionit në zonat lokale – u morën parasysh gjatë studimit vëzhgues.

Ka pasur disa studime që sugjerojnë se vitamina D, e cila prodhohet në lëkurë në përgjigje të rrezeve të diellit, ka një farë dobie në parandalimin e Covid-19. Sidoqoftë, studiuesit në Universitetin e Edinburgh-ut thanë se ulja e vërejtur e rrezikut të vdekjes nga sëmundja nuk mund të shpjegohet me nivele më të larta të vitaminës D.

Një sugjerim për të shpjeguar numrin më të ulët të vdekjeve është se ekspozimi ndaj rrezeve të diellit e bën lëkurën të lëshojë oksid nitrik, i cili mund të zvogëlojë aftësinë e Sars-CoV-2 për t’u replikuar, siç është gjetur në disa studime laboratorike.

I njëjti grup studiuesish, më parë zbuloi se rritja e ekspozimit ndaj rrezeve të diellit lidhet me shëndet më të mirë kardiovaskular, me presion të ulët të gjakut dhe më pak sulme në zemër. Sëmundjet e zemrës janë një faktor i njohur rreziku në vdekjen nga koronavirusi, i cili mund të shpjegojë gjetjet e fundit, thanë ata.

Për shkak të natyrës vëzhguese të studimit, ekipi tha se nuk ishte e mundur të përcaktohej shkaku dhe pasoja, por shpresuan se kjo mund të çonte në studime të tjera më të thelluara.

Dr. Richard Weller, bashkëautor i studimit, dermatolog, tha:

“Ka akoma aq shumë që ne nuk kuptojmë për Covid-19. Këto rezultate të hershme mund të tregojnë se ekspozimi ndaj rrezeve të diellit mund të shërbejë si një mënyrë për të zvogëluar potencialisht rrezikun e vdekjes. ”

Burimi: The Independent