Specialja kërkon që gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së të mos nisë më vonë se shtatori i 2021

0
74

Zyra e Prokurorit në Dhomat e Specializuara, ka paraparë që shtatori i 2021-ës, është afati më i vonshëm për të nisur gjykimi kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kështu thuhet në një parashtresë të kryeprokurorit Jack Smith, publikuar këtë të martë në faqen online, lidhur me atë se kur duhet të nisë gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, përcjellë Klan Kosova.

Madje theksohet se ky gjykim duhet të nis verën e 2021 dhe jo më vonë se shtatori.

”Mbrojtja duhet të ketë mundësi për t’u përgatitur për gjykim por duke pasur parasysh atë që ka ofruar mbrojtja, dhe kjo duhet të marrë muaj, jo vite. Për këtë arsye, kryeprokurori njofton që gjykimi të fillojë këtë verë, dhe jo më vonë se muaji shator 2021”, thuhet në njoftim.

Në seancën e parë statusore mbrojtja e të akuzuarve kishte kundërshtuar këtë qëndrim duke thënë se atyre u duhet më shumë kohë për t’u përgatitur për rastin.

Disa prej tyre kishin përmendur vitin 2022 si më të favorshmin për përgatitjet lidhur me rastin, për të nisur gjykimi.