Sot është Dita Botërore e Mbrojtjes Civile, mësoni pse shënohet

SONY DSC

Sot është Dita Botërore e Mbrojtjes Civile, e cila festohet çdo 1 mars në kujtim të hyrjes në fuqi në vitin 1972, të Kushtetutës së Organizatës Botërore të Mbrojtjes Civile, si një Organizatë Ndërshtetërore.

Qëllimi i kësaj organizate është sjellja në vëmendjen e publikut në mbarë botën, e rëndësisë vitale që ka mbrojtja civile, si dhe një nderim për të gjithë personelin e shërbimeve kombëtare për përpjekjet, sakrificat dhe përgjegjësitë e tyre për të luftuar kundër fatkeqësive.

Në shumë vende të botës, në këtë datë bëhen bilancet e punës së kryer nga ky shërbim humanitar në ndihmë të komunitetit të çdo vendi, në lidhje me parandalimin dhe përballimin e fatkeqësive natyrore dhe atyre të shkaktuara nga njeriu.

Kjo datë përmban në vetvete kontributin e të gjithë shoqërisë për bashkëpunimin dhe koordinimin e veprimtarive të strukturave shtetërore dhe vullnetare, në mbrojtjen e jetës individuale dhe kolektive të njerëzve, gjësë së gjallë, pasurisë, institucioneve, trashëgimisë kulturore dhe të mjedisit, kundër pasojave të fatkeqësive natyrore ose fatkeqësive të tjera.