Sllamniku: Televizionet po ofrojnë vetëm politikë, kjo është e dëmshme

0
533

Teatri në Shqipëri nuk do duhej të rrënohej, duhet investime në Teatrin Kombëtar të Kosovës ndërsa televizionet po i ngarkojnë popullin me politik. Kështu deklarojnë aktorët Edona Reshitaj dhe Besart Sllamniku.

Në emisionin OXYGEN ata kanë folur për shumë çështje dhe kanë dhuruar shumë art për publikun, video të cilat mund t’i shikoni në Oxygen Press

Edona Reshitaj kur flet për komunitetin artistik, thotë se nëse krahasohet ai i Kosovës me Shqipërisë, në Kosovë janë më mirë.

Sipas saj, konflikte mes komuniteteve ka gjithandej.

“Ne jemi shumë më të lidhur. Këtë e thonë të gjithë regjisorët që vijnë  dhe punojnë me ne dhe tregojnë atmosferën që ne ja japim në mes vete, që nëse ne kemi ndonjë paqartësi të vogël e tejkalojmë pas një kohe dhe kjo nuk reflekton në punë, gjë që në Shqipëri nuk flasin më mes vete, këtë na e kanë thënë edhe regjisorët. Edhe nëse nuk kemi ndonjë simpati mes vete e tejkalojmë në punë. Ndoshta, na ka ndodhur të kemi keqkuptime me ndonjë nga kolegët, por mendoj që tashmë jemi të pjekur dhe mund t’i zgjidh me dialog. E rëndësishme është që puna është profesione dhe në punë e mbështesim njëri-tjetrin, këtë e them nga përvoja që kam pasur veçanërisht në kohët e fundit”, thotë ajo.

Ndërsa aktori Besart Sllamniku kur flet për televizionet thotë se kohëve të fundit shfaqin vetëm politikë.

Këtë gjë edhe më shumë e ka vërejtur gjatë kohës së pandemisë.

“E pash që televizionet tona po ofrojnë diçka që po i bënë dëm popullit, në gjithë kohë, në gjithë kanalet ka vetëm politikë, politikë. Kjo është e dëmshme sinqerisht po e them. Në gjithë botën kryesore e kanë argëtimin dhe edukimin, por të kesh politikë 80% të kohës kjo është e dëmshme. Ne, e diskutojmë me kolegët: kush janë të famshmit në vendin tonë?, duhet me qenë artistët, por nuk janë, te ne janë politikanët. Kjo është e tmerrshme. Kuptohet, nuk është situata mirë në Kosovë, por mos na ngarkoni me atë, pra rregullojeni”, thotë Sllamniku.

Çifti bashkëshortor kur kanë folur për shembjen e Teatrit Kombëtar në Shqipëri, deklaruan se ai nuk do të duhej të rrënohej si objekt, pavarësisht nëse do ishte ndërtuar tjetri ose jo.

Ata kanë shpjeguar se ai nuk ka qenë funksional, por që do duhej të ruhej si objekt.

Ndërsa kur folën për Teatrin Kombëtar të Kosovës, ata vlerësojnë se duhet rregulluar, ngase nuk ka kushte për punë.

Sllamniku tha se mund të ndërtohet Teatri Kombëtar i ri, e aktuali të mbetet Teatër i qytetit.

Ata shpresojnë që në krye të Teatrit në Kosovë të vijnë drejtorë që mbi të gjitha e duan Teatrin dhe deklarojnë se për këtë post paga është e ulët e që mund të ndikojë që të mos shkojnë profesionistët.

Reshitaj së fundmi ka realizuar koncertin “Zonjat e Kangës”, duke sjellur interpretimin e këngëve të disa nga divave të këngës shqiptare ndër vite, mes tyre edhe një këngë pak të njohur të Nexhmije Pagarushës.

Çift janë edhe në skenë, ku gjatë kohës së pandemisë e kanë shfrytëzuar këtë.

Ata po realizojnë një serial “Burrë dhe Gru”, që trajton temën e një çifti në karantinë, që kanë emrat Avdiu dhe Belkizja.

Seriali transmetohet në bazë javore në YouTube, Facebook dhe Instagram (IGTV). Por përveç episodeve zyrtare, publikojnë gjatë javës edhe shumë materiale të ndryshme të personazheve.

Këto mund t’i shihni në faqet e tyre zyrtare në rrjetet sociale @burregru dhe të abonoheni në kanalin në YouTube me të njëjtin emër./oxygenpress.info