Skandal tek Interi, Nainggolan sërish protagonist

Mesfushori belg Radja Nainggolan u transferua me shumë bujë tek Interi, por duket se aventura e tij te skuadra milaneze nuk do të jetë e gjatë. Pak ditë më parë, ai u dënua nga klubi për sjellje të pahijshme jashtë fushe, por mesa duket problemet po shtohen më shumë mes klubit dhe mesfushorit.

Në mediet italiane, është publikuar një skandal që lidhet me ‘ninxhën’. Atij i është përgjuar telefoni dhe në një bisedë me një mikun e tij, tregon se tek Interi është një kaos dhe një kasaphanë kështu që ka dëshirë të largohet. Për të ndihmuar në largimin e tij, mund të japë një dorë edhe legjenda e Romës, Francesco Totti.

“O Zot këtu është një kasaphanë dhe dua që të largohem nga këtu. Të gjithë më shohin si të mbaruar,. Megjithatë, unë po jap maksimumin dhe po bëj më të mirën time në fushë. Po rri urtë, nuk po flas, por interistët po më mërzisin shumë. Dua të largohem. Duke ditur që kam shoqëri me Tottin, mendoj se mund të më tërheqë sërish te Roma, prandaj duhet të bëj pak rrëmuja këtu që të më largojnë”, thuhej në telefonatën e përgjuar, megjithëse ende nuk është konfirmuar nëse është apo jo Nainggolan ai që ka folur./OxygenPress.info