Skandal /Fasada me gurë e Fakultetit të Arteve mbulohet me stiropor

0
706

Në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, kanë filluar disa punime në fasadën e tij.

Pjesa e poshtme e objektit e cila ka qenë me gurë , është duke u mbuluar me stiropor. Ky veprim ka ngjallur reagim tek qytetarët të cilët e cilësojnë si veprim të shëmtuar, duke ia humbë origjinalitetin e objektit e me këtë edhe historinë e tij.

Agim Selimi, dekan i këtij fakulteti ka thënë se punimet e tilla nuk janë investim i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, por i Bankës Botërore.

“Janë projekte të përzgjedhura prej Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik. Edhe pllakatet janë vu përpara, në objektet të cilat kryhen punimet. Por, nuk është investim i universitetit, është investim i Bankës Botërore”, ka thënë Selimi për Ndërtimi

Ai ka thënë se ky është një program i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, që ka filluar para tri vitesh në Objektin e Arteve Muzikore. Projekt ky që ka për qëllim ruajtjen e energjisë përmes investimeve në efiqiencë të energjisë.

Ndryshe, veprim i ngjashëm është bërë edhe në Fakultetin Teknik, ku objekti është mbuluar nga materiali i njëjtë. Fat i njëjtë do ta kapte edhe Menzën e Studentëve, mirëpo Ndërtimi pati raportuar me kohë për t’a ruajtur origjinalitetin, gjë që pjesën ballore të menzës nuk e patën prekur.

Gjithçka në këto raste thuhet se bëhet për ta rritur efiçiencën e energjisë, duke e izoluar me stiropor, mirëpo sa ia “vlen barra qiranë”, që të humbet origjinaliteti dhe historia për një ambient më të ngrohtë, mbetet për t’u gjykuar.