S’ka siguri se ushqimi në treg është mjaftueshëm i kontrolluar dhe i sigurt në Kosovë

0
154

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) bëri publik raportin e performancës “Siguria e Ushqimit, rast studimi: produktet e mishit dhe të grurit”.

Raporti konstaton se institucioni përgjegjës Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ende nuk e ka plotësisht funksional sistemin e sigurisë në tërë zinxhirin ushqimor dhe për pasojë nuk ka siguri se ushqimi në treg është mjaftueshëm i kontrolluar dhe është i sigurt për konsumatorin.

Gjetjet e auditimit nxjerrin në pah mangësitë në procesin e planifikimit të kontrolleve dhe mungesën e analizës së rreziqeve.

Në raport thuhet se vlerësimi i sigurisë në ushqim përmes listave të kontrollit nuk i përfshinë të gjitha parimet e Analizës së Rrezikut dhe Pikave të Kontrollit Kritik (HACCP).

Për më tepër, as Laboratori i Ushqimit dhe Veterinarisë nuk është i akredituar për të gjitha analizat e nevojshme për siguri në ushqim.

Pos kësaj, edhe mënyra e marrjes së mostrave në pikat inspektuese kufitare nuk ofron mjaftueshëm siguri se produktet të cilat hyjnë në treg kontrollohen si duhet dhe sipas procedurave të vendosura.

Raporti thekson se Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ende nuk i ka kompletuar procedurat dhe standardet e nevojshme për të siguruar se inspektorët sanitarë dhe fito-sanitarë janë duke kryer kontrolle zyrtare në pajtim me standardet e sigurisë për ushqim.

Auditimi konkludon se inspektorët komunal nuk janë transferuar në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, si dhe nuk ka koordinim të mirë të kontrolleve mes nivelit qendror dhe lokal, raporton RTK. Zyra Kombëtare e Auditimit i rekomandon Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë që të kryejë kontrolle cilësore, duke siguruar zbatimin e parimeve të Analizës së Rrezikut dhe Pikave të Kontrollit Kritik (HACCP), të cilat janë bazë për të ofruar siguri në ushqimin për konsumatorë.