S’ka grevë në polici, do të pritet vendimi përfundimtar i Kushtetueses

Sindikata e Policisë nuk do t’i futet grevës  pas pezullimit të Ligjit të Pagave.

Ky vendim është bërë i ditur përmes një komunikate për media nga kjo sindikatë,  të cilët kanë sqaruar se për çështjen në fjalë, do të presin vendimin final të Kushtetueses.

Në mbledhjen e mbajtur sot, është vendosur që të zhvillohen edhe takime të një rëndësie të veçantë,  lidhur me çështjet jetike për policët e Kosovës, si ajo e sigurimeve shëndetësore, sigurimit jetësor dhe aksidental, pagesën e ndërrimit të natës dhe çështje tjera.

Vendimi i Sindikatës së Policisë, vije pas grevave të mbajtura sot në sektorin e arsimit dhe shëndetësisë për Ligjin e Pagave.

Njoftimi i plotë nga Valbona Kamberi nga sindikata e Policisë së Kosovës:

Me datën 13/12/2019 në selinë e Sindikatës së Policisë së Kosovës në Prishtinë, është mbajt takimi i jashtëzakonshëm i Këshillit Drejtues te Sindikatës se Policisë së Policisë së Kosovës.

Temë e këtij takimi ishte situata e re e krijuar pas pezullimit te ligjit te pagave nga  Gjykata  Kushtetuese e Republikës se Kosovës.

Ne ketë takim është diskutuar dhe është marr parasysh situata në të cilën po kalon vendi dhe mbi bazën e kësaj, Këshilli Drejtues i sindikatës të Policisë së Kosovës ka marrë vendim që të pritet gjerë ne marrjen e vendimit përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese, bazuar në atë se Policia e Kosovës si institucion i zbatimit te ligjit, vendimet e Gjykatave të Republikës së Kosovës nuk i interpretojmë apo diskuton , por kërkojmë nga Gjykata Kushtetuese që çështjen e ligjit të pagave ta trajtoj me prioritet.

Nga Institucionet e vendit kërkojmë që të gjitha të drejtat dhe obligimet që burojnë nga ligji i pagave të zbatohen në mënyrë retroaktive nga data e hyrjes në fuqi e këtij ligji.

Gjithashtu në këtë takim në mënyrë unanime është marr vendim që të mbahen takimet me bartësit e institucioneve të vendit që të realizohen kërkesat e kamotshme të Sindikatës të Policisë së Kosovës e që janë:

-Sigurimi shëndetësor

-Sigurimi Jetësor dhe aksidental

-Ligji për pensionimin e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës (ligj ky i cili është duke u zvarritur që një kohë të gjatë).

-Pagesën e ndërrimit të natës në mënyrë të dinjiteteshme

-Pagesën e shujtës dhe të transportit për pjesëtaret e policisë se Kosovës

Në fund këshilli drejtues i Sindikatës të Policisë së Kosovës përkrah kërkesat e ligjshme te sindikatave ,si  Sindikata e Arsimit  SBASHK-ut  dhe Sindikatën e shëndetësisë FSSHK-ën.