Si të përgatiteni për ditën e parë të punës?

0
61

Dita e parë e punës mund të jetë një nga ditët më stresuese të karrierës suaj. Përshtypja e parë do të thotë gjithçka, pasi që njerëzve nuk iu duhen më shumë se 3 sekonda për të krijuar një mendim të caktuar për ju. Këtë mendim ata e bazojnë mbi paraqitjen tuaj, gjuhën e trupit, sjelljen dhe veshjen tuaj.

Në ditën e parë të punës, ju do të takoni njerëz që nuk i keni parë më herët, prandaj përshtypjet e para janë shumë të rëndësishme. Edhe pse disa persona brenda kompanisë ju tashmë i keni takuar gjatë intervistave, prapëseprapë do të duhet t’i ritakoni si dhe do të njoftoheni me rregullat dhe hapat që ju duhet zbatuar, të tilla si kodi i veshjes, orari etj. Zakonisht, nga përshtypjet e para varet se si do të rrjedh miqësia juaj me kolegët apo shefin tuaj. Pra, është shumë e rëndësishme të dini se si të lini një përshtypje të mirë, sepse kjo mund të ndikojë në karrierën tuaj.

Në vijim janë disa pika që do të ju duhen t’i mbani mend në ditën e parë të punës, nëse dëshironi të lini përshtypje të mirë:

Mbërrini me kohë në punë
Kur e takoni dikë për herë të parë, qoftë ai shefi juaj apo një mik, nuk është e sjellshme të vonoheni dhe të gjeni justifikime. Është mirë të planifikoni të vini pak më herët në ditën e parë të punës, që të shmangni ndonjë bllokim në trafik. Prandaj, një natë më parë ju duhet të siguroni informata se sa do të ju zgjas udhëtimi dhe të bëni gati gjithçka që ju nevojitet për nesër. Gjithashtu bëni një gjumë të mirë natën që të mund të zgjoheni me kohë. Mos harroni që është më mirë të vini shumë më herët se sa të jeni vonë për punë.

Respektoni kodin e veshjes
Njerëzit mund të gjykojnë në bazë të veshjes dhe sidomos në një ambient pune. Gjithçka varet prej vendit të punës, por në të shumtën e rasteve, puna nuk është vend që të lejon të shfaqësh stilin tënd kreativ apo shumë ekstravagant. Për të përçuar një mesazh se ju jeni person i organizuar, i besueshëm dhe i zoti, atëherë është më mirë të visheni në mënyrë sa më profesionale. Pasi të ambientoheni në punë, mund ta vëreni që kodi i veshjes nuk është edhe aq strikt, prandaj me kalimin e kohës mund të jeni pak më të lirë në zgjedhjen e veshjes tuaj.

Përgatitni një ‘’Elevator pitch‘’ (një përshkrim të shkurtër të vetes).
‘’Elevator pitch’’ është një term që përdoret për të përshkruar një fjalim të shkurtër që paraqet një ide për një produkt, shërbim ose projekt. Emri vjen nga nocioni se prezantimi nuk duhet të zgjas më shumë se një udhëtim i ashensorit, zakonisht 20-60 sekonda. Pra, bëhuni gati të jepni një shpjegim 30 sekondash se kush jeni dhe ku keni qenë më parë, sepse shumë kolegë të rinj ka të ngjarë të pyesin për vendin tuaj të mëparshëm të punës.

Jeni të përgatitur të përshkruani gjithashtu atë që do të bëni në këtë pozitë të re, pasi mund të ketë njerëz që nuk e kanë të qartë pozitën e juaj në kompani.

Tregoni pozitivitet
Paraqituni të dashur, entuziast dhe miqësor me të gjithë kolegët e punës. Pranoni të gjitha detyrat pa përtesë dhe asnjëherë mos u ankoni për ndonjë detyrë të caktuar, për punën në përgjithësi apo për kolegët tuaj. Buzëqeshni sepse ajo tregon që ju jeni të kënaqur dhe entuziast për mundësinë që ju është dhënë të jeni pjesë e kompanisë, organizatës apo çfarëdo lloj institucioni që punoni.

Gjëja më e mirë që mund të bëjë dikush në ditët e para të një pune të re është të dëgjoni me vëmëndje. Kjo është një mundësi të mësoni për qëllimet që shefi dhe të tjerët kanë për kompaninë, departamentin dhe projektet e tyre. Është shansi juaj për të kuptuar pikëpamjet, si dhe prioritetet. Jeni të përgatitur për të marrë shumë shënime.

Përmbajuni rregullave të mirësjelljes në punë
Duke iu përmbajtur rregullave të mirësjelljes ju mund t’i bëni përshtypje shefit dhe kolegëve tuaj. Edhe pse kjo mund të ju duket e lehtë, ndonjëherë njerëzit harrojnë dhe nga pakujdesia mund të sillen në mënyrë jo të duhur. P.sh. nëse ju lejohet të përdorni celularin, bëni kujdes që të mos i pengoni të tjerët dhe të mos ju hutojë edhe juve nga detyrat që i keni. Respektoni kolegët tuaj dhe shmangni sjelljet jo të duhura ndaj tyre.

Tregoni vendosmëri dhe vetëbesim
Të gjithë mund të jemi të stresuar në ditën e parë të punës dhe kjo mund të rezultojë në veprime të padëshiruara dhe të paqëllimshme që mund t’i përcjellim me anë të gjuhës së trupit te kolegët dhe shefi i ri. Përdorni gjuhën e trupit për të shfaqur vendosmëri dhe vetëbesim. Qëndroni drejt, buzëqeshni, mbani kontaktin me sy dhe shtrëngoni duart me vendosmëri. Gjithmonë tregoni që keni vetëbesim dhe vendosmëri, por asnjëherë mos u shfaqni shumë kokëfortë.

Disa gjëra që duhet t’i shmangni gjatë ditës së parë të punës mund t’i shihni në këtë video:

Në videon më poshtë janë dhënë disa këshilla se si të silleni në mënyrë të duhur në ditën e parë të punës: