Si të përballemi me faktin që pandemia mund të vazhdojë për një kohë të pacaktuar

0
43

Çdo ditë shfaqet një njoftim i ri. Çdo ditë planet anulohen dhe na thuhet të ruajmë distancën.

Nëse ndiheni të dëshpëruar pa një afat të caktuar se kur do të “kthehemi në normalitet”, nuk jeni vetëm.

Shtojini kësaj pasigurie edhe problemet ekonomike, humbjet e punës apo shqetësimet shëndetësore. Të gjitha së bashku ndikojnë në shëndetin mendor të secilit prej nesh.

Dr Laira Gold, psikoterapiste e shëndetit, thotë:

“Fakti që njerëzit u mbyllën për një kohë pa afat dhe tani kanë përsëri rregulla, ka bërë që ata të reflektojnë mbi jetën e tyre dhe të ndihen të dëshpëruar nga rrethanat.”

Studimet dhe anketat që Dr. Gold ka bërë tregojnë se njerëzit kanë patur probleme me shëndetin mendor gjatë kësaj periudhe dhe për disa prej tyre, është shtuar konsumi i alkoolit.

Sipas Brendan Street, profesionist i mirëqënies emocionale nga Nuffield Health, ka disa mënyra për të zvogëluar “peshën” që pandemia na ka sjellë.

“Shumë prej nesh ndihen sikur kanë kontroll, pastaj në një moment mendojnë: ‘Po sikur…?’ Kjo pasiguri e vazhdueshme mund të dalë jashtë kontrollit, duke çuar në stres afatgjatë.”

Këshillat e Brendan, se si të kujdesemi për veten në mes të një pandemie përfshijnë:

– Fikni teknologjinë!

Në kohë të pasigurta, kontrolli i lajmeve është i zakonshëm. Po kërkojmë përgjigje dhe ndihemi sikur azhornimet e lajmeve do t’i sigurojnë ato, por për shumë prej nesh qëndrimi pas ekranit dhe lëvizja e pafund nëpër rrjete sociale mund të nxisë ndjenjat e ankthit.

Brendan këshillon të kontrolloni vetëm një faqe të besuar të lajmeve një herë në mëngjes dhe një herë në mbrëmje. Në këtë mënyrë ju mund të jeni në dijeni të lajmeve të fundit, por të mos jeni të ngjitur në një cikël përplasjeje dënimi dhe errësire.

Brendan këshillon që të keni një rutinë fikse, edhe nëse për momentin, po punoni nga shtëpia.

– Filloni të krijoni zakone më të shëndetshme

Për shembull, vendosni alarmin tuaj në të njëjtën kohë çdo mëngjes, shkoni për një shëtitje çdo ditë, gatuani darkën çdo mbrëmje etj.

Jo vetëm stërvitja ndihmon në lehtësimin e ndjenjave të stresit duke na dhënë një ngritje të nivelit të dopaminës, por edhe një dietë me vlera ushqyese, konsumi i mjaftueshëm i ujit dhe gjumi i mjaftueshëm ndihmojnë në ekuilibrimin e kimikateve të trurit tonë për të na dhënë qartësi mendore.

– Përqendrohuni në frymëmarrjen tuaj

Ndjesitë stresuese, mund të çojnë në rritje të rrahjeve të zemrës dhe frymëmarrje më të shpejtë.

Ndërsa ne mund të mos jemi në gjendje të ndryshojmë trajektoren e pandemisë, ne mund të përdorim teknika për të përmirësuar gjendjen tonë mendore në këtë moment.

Brendan këshillon:

“Mbyllni sytë dhe përqendrohuni në frymëmarrjen tuaj. Merrni frymë më hundë për pak kohë dhe më pas nxirreni frymën përmes gojës. Kjo jo vetëm që do ta largojë mendjen tuaj nga ndjenjat e pakëndshme, por hulumtimet sugjerojnë se rreth gjashtë frymëmarrje të tilla në minutë mund të shkaktojnë një përgjigje relaksimi, që ndihmon në lehtësimin e simptomave të ankthit dhe depresionit.

– Sfidoni të menduarit e gjërave të pashëndetshme

Hapi i parë në rikuperimin e stresit është ta dalloni kur po ju ndodh dhe ta sfidoni atë.

Kur ndiheni të stresuar ose të shqetësuar, shkruani shkakun, mendimet shoqëruese dhe gjendjen shpirtërore që keni provuar. Gjithashtu vini re se si rezultoi në fund, situata për të cilën u shqetëusuat. Shpesh, ne lexojmë përsëri përmes përvojave tona dhe mësojmë se teksa mendimet tona mund të përqendrohen në skenarin më të keq, gjërat rrallë dalin ashtu.

Kjo njihet edhe si “fuqia e ri-formimit”.

Për shembull, nëse mendimi juaj fillestar është: “Kjo pandemi nuk do të mbarojë kurrë. Jeta nuk do të jetë kurrë e njëjtë”, përpiquni të mendoni në vend të kësaj: “Kjo pandemi nuk do të zgjasë përgjithmonë, ne do të dalim nga kjo përvojë më krijuese, inovative dhe elastike.”

– Eksperimentoni me ndryshime të vogla

Frika nga ndryshimi mund të duket si një instink mbrojtës, por mund të jetë i dëmshëm për një kohë të gjatë.

Mendoni diçka sado të vogël që ju mund të ndryshoni, për aktivitete apo situata te të cilat keni vetëbesim.

Kjo mund të përfshijë ndërrimin e rrugës tuaj të zakonshme ku bëni vrap ose regjistrimin si vullnetar/e në një organizatë.

Ju do të filloni të mësoni se ndonjëherë, përballja me rezultate të pasigurta është në rregull dhe se është mirë që, me raste, mos të kemi gjithçka plotësisht në kontroll.

Mos harroni se në një moment ne do të arrijmë në një fazë, ku jeta do të jetë përsëri normale, por deri atëherë, mos harroni të kujdeseni për veten, siç do kujdeseshit për dikë që e doni shumë.

Burimi: Babylon Health, Metro UK, Anabel