SI TA DALLOJMË ÇRREGULLIMIN E VËMENDJES ME HIPERAKTIVITET?

0
104

Nga: Lorela Garuli – Psikologe

Crregullimi i vëmendjes me hiperaktivitet (Attention Deficit Hyperactivity Disorder ADHD) përcaktohet si shfaqja e një grupi sjelljesh ku fëmija paraqet nivele impulsiviteti, mungese vëmendjeje dhe hiperaktiviteti më të larta sesa fëmijët e tjerë të së njëjtës moshë.
Zakonisht këto vështirësi shfaqen përpara moshës 7-vjecare. ADHD konsiderohet crregullimi më i përhapur i periudhës së fëmijërisë së hershme dhe prek më shumë djemtë se vajzat. Simptomat dhe karakteristikat e ADHD ndahen në tre lloje dhe janë si më poshtë.

Mungesa e vëmendjes:
o Bën gabime të shpeshta pakujdesie.
o Nuk i kushton vëmendje detajeve.
o Harron ndjekjen e rutinave dhe detyrave të përditshme.
o Duket sikur nuk dëgjon kur i flasin.
o Nuk e mban dot vëmendjen në kryerjen e detyrave apo gjatë lojës.
o Ka vështirësi në organizimin e detyrave apo aktiviteteve.
o Nuk i ndjek udhëzimet që i jepen.
o Shpesh humb gjëra të cilat janë të domosdoshme për detyrat apo veprimtaritë (libra, fletore).
o Shpërqendrohet dhe hutohet lehtësisht.

Hiperaktiviteti:
o Bën lëvizje përsëritëse me duar ose këmbë, në shenjë nervozizmi ose padurimi.
o Nuk rri ulur në klasë apo mjedise të tjera, në të cilat qëndrimi ulur është i nevojshëm.
o Vrapon, kërcen, hidhet së tepërmi në situata të papërshtatshme.
o Flet shumë dhe pandërprerë.
o Është gjatë gjithë kohës në lëvizje dhe duket sikur nuk lodhet kurrë.
Impulsiviteti:
o Ka vështirësi në mbajtjen e radhës dhe kur i duhet të presë.
o Nis të kthejë përgjigje përpara se t’i bëhet pyetja e plotë.
o Ndërpret të tjerët kur flasin, futet në mes të një loje, bisede apo aktiviteti që të tjerët po kryejnë.