Si lulja

0
174
Kur im shoq punonte dhe ne sapo kishim filluar të jetonim bashkë, kaloi pak kohë deri sa u mësova me hilet dhe rutinën e tij. Herën e parë kur u kthye nga puna, vërejta sa i lodhur ishte tek përgadiste darkën për vete, ndaj vendosa që ditëve tjera t’a prisja të hanim bashkë e të gatuaja për të dy. Një ditë ushqimi po merrte ca kohë të zihej, dhe me qetësi, por pakënaqësi më sugjeroi që herën tjetër të filloja gatimin më herët për ushqime të tilla. Ashtu dhe bëra. Më vonë, kur unë fillova punën dhe ai ishte në shtëpi ndonjëherë gatuante për të dy, e ndonjëherë priste sa të kthehesha e pastaj gatuanim bashkë. Lodhesha shumë por mendoja se po të jetoja vetëm gjithsesi do gatuaja kur të vi, kështu nuk shpreha ndonjë pakënaqësi për këtë rutinë. Një ditë u vonova pas punës për 15 minuta. Kishte qenë ditë e lodhshme dhe lotët i kisha në sy pas thashethemeve që do rrisnin çmimet e faturave e të ulnin numrin e orëve. Në derë më priti ai me pyetjen: pse u vonove kaq shumë? Jam i uritur dhe po të pres qe 45 minuta. I thashë se mori më gjatë puna kësaj rradhe. Desha t’i them 30 minutëshin e paske ekstra. Por e putha në faqe dhe i thashë që ushqimi dukej i shijshëm. Në mbrëmje u ula në parmak, me dritaren hapur e këmbët mbuluar se bënte ftoftë. Po shihja lulet. Mu kujtua që ka kohë pa i ujitur apo pastruar. Preka dheun në vazo dhe vërejta të kishte lagështi. Mu kujtua shiu i paradites. Bukur mendova me veten. Pastaj për pak dëshirova të jem lule. Sa mirë të jesh lule. Sa qetë. Sa urtësi ka lulja. Kur ka nevojë për ujë nuk flet, nuk turpëron veten duke parashtruar të njëjtën kërkesë disa herë, e qartazi duke ju drejtuar një veshi të shurdhër. Mendja me pak njohuri e di që lulja ka nevojë për ujitje. Mendja që e don lulen në shtëpi kujtohet shpesh për të dhe nuk e lë të dobësohet. E po qe se nuk ndodh kështu, lulja me shumë dinjitet jeton sa të mundet, dhe kur nuk ka më fuqi thjesht dorëzohet, pa zhurmë, pa dramë, pa fjalë. Kur lulja vdes ajo nuk ndjen më. Kurse pronari/ja ndihet si copë m*ti për ca minuta, duke u kujtuar që as këtë lule nuk pati sukses ta ruante. Shpesh në momente dëshpërimi kam dëshiruar të jem diçka tjetër. Çdo mundësi ekzistence më është dukur më e lehtë, më e dinjitetshme, më e mençur apo thjesht më e duhur për një arsye apo një tjetër. Nuk i doja fjalët aspak, ndaj zakonisht ëndërroja të jem çkado që nuk flet. Ç’peshë ka fjala gjithsesi? Rrallë herë dëgjohet vëmendshëm, e thuajse kurrë nuk kuptohet ashtu siç është thënë. Ndaj më e mirë do jetë një jetë e heshtur, pa nevojë për të përsëritur të njëjtën kërkesë, të njëjtën pyetje a të njëjtin mendim. Pa nevojë për të sqaruar atë që veshi dëgjues nuk do mundet kurrë ta dëgjojë letër për letër. – Dëshiron çaj? Më pyeti por pa më shkëputur nga mendimet. – Do më bënte mirë thashë. -Atëherë vendose ujin për ngrohje të lutem se do pi dhe unë. Mendova ta ngacmoja një herë. “Hë, pse ti nuk mundesh dot”, t’i rikujtoja një ankesë jo direkte që ndoshta po të bënte çajin do më kujtonte arsyen pse e desha për herë të parë, apo pse në fillim kujdesej shumë për mua. Po pastaj mund të kthehej në grindje të pakuptimë, si shumica e bisedave kohëve të fundit. Dhe sonte nuk kisha energji për këtë. U ngrita nga parmaku, me buzën gjysmë në gaz teksa shikoja lulen time. Sa e bukur ishte. Sa krenare qëndronte. Qielli i kishte dhënë ujë kur ne e harruam. Ajo s’kishte nevojë për ne aspak. Thjesht qëndronte aty. E bukur. E heshtur. Ama kaq e veçantë. Në heshtje mbylla dritaren, përgadita dy filxhanë çaj dhe u ula pranë tij.Sonte të jem lule thashë me vete. Sa qetë jetojmë kur unë nuk flas…
Shpresonë Grulaj