Si ju ndihmon inteligjenca emocionale që të përballoni pandeminë

0
177

A jeni në gjendje që të kontrolloni emocionet tuaja? A njihni njerëz që bëjnë gjithmonë gjërat e gabuara në kohën e gabuar? A keni njohuri për inteligjencën emocionale dhe se si mund t’ju ndihmojë për të përballuar pandeminë? Nëse jo, ky artikull ju vjen në ndihmë.

Fillimisht, le të përmbledhim shkurtimisht se çfarë është inteligjenca emocionale.

Inteligjenca emocionale, e njohur ndryshe si EQ (emotional quotient) është aftësia për të kuptuar, përdorur dhe menaxhuar emocionet tuaja në mënyra pozitive, duke lehtësuar stresin, duke komunikuar në mënyrë efektive dhe duke patur sensin e empatisë për të kapërcyer sfidat dhe për të zgjidhur konflikte. Inteligjenca emocionale ju ndihmon të ndërtoni marrëdhënie më të forta, të keni sukses në shkollë dhe punë dhe të arrini qëllimet tuaja në karrierë dhe jo vetëm. Shumë ekspertë besojnë se EQ, është edhe më e rëndësishme se IQ (intelligence quotient).

Ka disa shenja që tregojnë se një individ ka inteligjencë emocionale të ulët dhe këto përfshijnë:

1. Dëshira për të pasur gjithmonë të drejtë.
2. Prirja për të mos i kushtuar rëndësi ndjenjave të njerëzve të tjerë.
3. Sjellja e pandjeshme.
4. Të fajësuarit e të tjerëve për problemet.
5. Paaftësia për të përballuar situata të caktuara, si pandemia për shembull.
6. Shpërthimet emocionale.
7. Probleme me marrëdhëniet sociale.
8. Të biseduarit vetëm për veten.

Si mund t’ju ndihmojë inteligjenca emocionale në lidhje me pandeminë e Covid-19?

Në botën e re të shkaktuar nga Covid-19, të gjithë përjetojmë emocione të forta dhe nivele të mëdha ankthi. Këto emocione nuk janë të këqija; ato në të vërtetë mund të na ndihmojnë nëse dimë si t’i trajtojmë. Por nëse i lëmë të dalin jashtë kontrollit, ndikojnë negativisht.

Inteligjenca emocionale nuk ka të bëjë me përpjekjen për të hequr emocionet nga procesi i vendimmarrjes; përkundrazi, ka të bëjë me kuptimin dhe menaxhimin e tyre. Kjo është veçanërisht e dobishme gjatë një kohe krize sepse mund të na ndihmojë të mendojmë në mënyrë racionale dhe të barazpeshojmë emocionet tona me mendimin racional, kështu që dimë si të veprojmë. Pra, t’i bëni emocionet të funksionojnë për ju, jo kundër jush.

Për shembull: Një ditë të caktuar, keni takime në Zoom njëri pas tjetrit. Në ditë normale, ju nuk do të ishit kurrë në gjendje t’i bënit këto takime.

Shembull tjetër: Mund të ndiheni keq për ndjenjat që përjetoni. Por në vend që të qëndroni në këtë gjendje, mund të zhvilloni një hobi të ri, të cilin në situatë normale, nuk do ta kishit provuar.

Inteligjenca emocionale gjithashtu mund t’ju ndihmojë në marrëdhëniet me të tjerët. Mos harroni se ndjeshmëria sjell ndjeshmëri. Kur merrni kohë për të dëgjuar me kujdes partnerin/en, familjen, miqtë ose kolegët – kur përpiqeni të kuptoni ndjenjat e tyre – ata do të ndihen të kuptuar. Dhe kur një person ndihet i kuptuar, ka shumë të ngjarë që t’ju përgjigjet me të njëjtën monedhë.

Me fjalë të tjera, askush nuk mund të kontrollojë mënyrën si ndihet, gjithmonë. Por mund të kontrollojmë mënyrën e përpunimit të këtyre ndjenjave dhe reagimin ndaj tyre.

Burimet: Inc Magazine, Healthline, Very Well Mind, WebMD, Psychology Today, Anabel