Si është të jesh fëmijë në Kosovë?

0
128

Arsimi dhe shëndeti janë blloqe ndërtimi për zhvillimin e kapitalit njerëzor; megjithatë, sfidat vazhdojnë, të dhëna të reja mbi gjendjen e fëmijëve dhe grave shfaqen në Kosovë

Prishtinë, 20 nëntor 2020 – Agjencia e Statistikave të Kosovës në partneritet me UNICEF-in lansoi gjetjet e anketës më të madhe të ekonomisë familjare për situatën e fëmijëve dhe grave në Kosovë. Të dhënat, të publikuara sot nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, gjenerohen nga Anketa e Grupimeve me Tregues të Shumëfishtë (MICS) – një program i anketës i mbështetur nga UNICEF dhe i zbatuar në më shumë se 100 vende të botës. Me rastin e Ditës Botërore të Fëmijëve më shumë se 500 njerëz morën pjesë në evenimentin e lansimit të MICS në internet për të kuptuar se çfarë tregojnë të dhënat e reja se si është të jesh sot fëmijë në Kosovë. Në fjalën e hapjes së evenimentit të lansimit, Kryeministri i Kosovës, z. Avdullah Hoti tha se fëmijët janë e ardhmja e njerëzimit dhe ne kemi borxh cdo aktivitet që garanton një të ardhme të sigurt për ta dhe shoqërinë. “Anketimet e tilla janë të dobishme, sepse paraqesin situatën reale në terren, dhe si të tilla na japin një vision më të qartë. ASK dhe UNICEF na kanë ofruar këtë tablo me shumë vlera, prej të cilave ne marrim informacione që na duhen për të hartuar politikat adekuate për fëmijët dhe të ardhmen e tyre”, tha kryeministri Hoti.

Përderisa është bërë shumë për të siguruar realizimin e të drejtave të fëmijëve në Kosovë, disa çështje mbeten të adresohen.

Disa nga gjetjet kryesore të MICS zbulojnë që:

• Për 1000 lindje të gjalla, 16 fëmijë vdesin para se të arrijnë ditëlindjen e tyre të parë në Kosovë (70% e tyre vdesin brenda muajit të parë të jetës). 27 fëmijë të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian nga 1000 lindje të gjalla (80% brenda muajit të parë të jetës) nuk e shohin ditëlindjen e tyre të parë.

• 15 përqind e fëmijëve të moshës 3-4 vjeç ndjekin ndonjë program të edukimit për fëmijërinë

• Një përqindje e madhe e fëmijëve (72 përqind) raportohet se janë disiplinuar me dhunë.

Sot është një ditë e veçantë, lansimi i gjetjeve të Anketës MICS në Ditën Botërore të Fëmijëve, veprim për fëmijë, nga fëmijët, i cili u jep fëmijëve hapësirën për të dëgjuar zërin e tyre për çështje për të cilat atyre iu intereson. Të dhënat e MICS për fëmijët janë nxjerrë nga mbi 20.000 intervista. Partnerët dhe komuniteti ndërkombëtar aktualisht kanë një dritare të veçantë mundësish, si dhe një detyrim, për të përmbushur të drejtat e çdo fëmije. Investoni në fëmijë – investoni në kapital njerëzor tani ” thotë Murat Sahin, Shef i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë.
– Gjatë ngjarjes, Rijad Mehmeti, Avokues i të Drejtave të Fëmijëve në kuadër të UNICEF-it theksoi se “ Ne femijet me aftesi te kufizuara llogarisim ne ju! Ate qe se paku do te prisnim eshte qe ju te na numroni e llogaritni neve!”
Informacionet e reja që dalin nga MICS duhet t’iu mundësojë institucioneve të Kosovës dhe agjencive ndërkombëtare që të orientojnë në mënyrë më të saktë dhe më efektive ndihmën zhvillimore dhe burimet. Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme, ndërsa Kosova i përgjigjet dhe zbut ndikimin socio-ekonomik tek fëmijët nga pandemia covid19.
Pas këtyre rezultateve të para, UNICEF do të vazhdojë analizën e mëtejshme të të dhënave të MICS-it. Ekziston një nevojë e qartë për vendimmarrje të bazuar në dëshmi, për alokim shtesë të buxheteve publike për shërbimet relevante për fëmijë, veçanërisht për shëndetin, arsimin dhe mbrojtjen sociale, ndërsa duke përmirësuar efikasitetin e përdorimit të burimeve për të forcuar mjedisin favorizues për të drejtat e fëmijëve dhe zhvillimin kombëtar.
UNICEF falënderon Ministrinë e Financave, UN Women, UNFPA, UNKT dhe Fondacionin e Mijëvjeçarit në Kosovë për mbështetjen e MICS 2019-2020.

Çfarë është MICS?
MICS është një nga anketat më të mëdha të ekonomive familjare në nivel global të mbështetura nga UNICEF që nga vitet 90-ta. Është dizajnuar për të grumbulluar vlerësime statistikisht të mirëfillta, të krahasueshme ndërkombëtarisht, të rreth 200 treguesve për të vlerësuar gjendjen e fëmijëve, femrave dhe meshkujve në fushat e shëndetit, arsimit dhe mbrojtjes së fëmijëve dhe atë sociale, ndër shumë të tjera. Për të lejuar një monitorim më të mirë të barazisë dhe përfshirjes së grupeve më të cenueshme, treguesit e MICS ndahen sipas karakteristikave demografike dhe socio-ekonomike të popullsisë.

Kosova ka ndërmarrë dy raunde të anketave MICS, në vitin 2014 dhe në vitin 2020, të dyja të zbatuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës. Në secilin raund, janë kryer dy anketa paralele me mostra të veçanta, një MICS me popullatën e përgjithshme dhe një MICS me komunitetet Romë, Ashkali dhe Egjiptianë në Kosovë. Përveç gjenerimit të treguesve të rinj që nuk kanë qenë të disponueshëm më parë, raundi 2020 i MICS ofron të dhëna për matjen e progresit të bërë që nga viti 2014 për një numër treguesish.

Anketat e MICS-it në Kosovë do të kontribuojnë në plotësimin e boshllëqeve në të dhëna dhe në njohuri dhe do të ofrojnë mundësi për të forcuar planifikimin, programimin dhe llogaridhënien e bazuar në dëshmi. Anketat gjithashtu përbëjnë një burim të pasur të të dhënave për të vendosur bazat për krahasim dhe për të monitoruar zotimin kombëtar drejt Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZhQ), duke grumbulluar gjysmën e të gjithë treguesve të OZHQ-së të bazuar në anketën e ekonomive familjare, duke vendosur bazat për krahasim për pandeminë para-COVID-19.

Çfarë thotë MICS për fëmijët?

Mbijetesa e Fëmijëve
Anketat e MICS në Kosovë për vitin 2020 nxjerrin në pah përparimin e bërë në rritjen e mbijetesës së fëmijëve gjatë dekadës së kaluar, megjithatë ende vlerësohet se në 1000 lindje të gjalla vdesin 16 fëmijë nën 5 vjeç. Kjo është pothuajse dy herë më e lartë tek fëmijët që jetojnë në komunitetet romë, ashkali dhe egjiptianë, ku në 1000 lindje të gjalla vdesin 27 fëmijë.

Vitet e hershme
Një fillim i shëndetshëm në jetë është thelbësor për të siguruar që fëmijët mund të zhvillohen dhe të arrijnë potencialin e tyre të plotë. Në Kosovë, vetëm 29 për qind e fëmijëve (nën moshën gjashtë muajsh) ushqehen ekskluzivisht me gji. Për më tepër, rreth 73 përqind e fëmijëve nën moshën 2 vjeç imunizohen plotësisht në Kosovë, me shkallë të plotë të imunizimit tek fëmijët që jetojnë në komunitetet romë, ashkali dhe egjiptianë për të njëjtën grupmoshë deri në 38 përqind.

Arsimi – gatishmëria për shkollë
Ndërsa kujdesi cilësor dhe të nxënit e hershëm janë vendimtare për zhvillimin e fëmijëve dhe rritjen ekonomike , vetëm 15 përqind e fëmijëve të moshës 2-3 vjeç vijojnë programin e edukimit të hershëm në Kosovë – përqindja më e ulët në rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore. Për më tepër, fëmijët e kësaj moshe nuk marrin stimulimin e duhur të përgjegjshëm as në mjedisin familjar, ku më pak se gjysma e nënave (46 përqind) dhe vetëm 10 përqind të baballarëve përfshihen në aktivitete që promovojnë të nxënit dhe gatishmërinë për shkollë në ambient shtëpiak.

Kosova ka bërë progres në gatishmërinë për shkollë me një përqindje të rritur të fëmijëve të moshës 5 vjeçe që vijojnë arsimin parafillor, nga 76 përqind në vitin 2014 në 88 përqind në vitin 2020. Sidoqoftë, edhe pse arsimi fillor dhe i mesëm i ulët është obligativ, 2 përqind e fëmijëve në arsimin fillor (klasat 1-5) dhe 3 përqind e fëmijëve në arsimin e mesëm të ulët (klasat 6-9) janë jashtë shkollës. Përqindja e fëmijëve jashtë shkollës është rreth tre herë më e lartë për fëmijët e shkollës së mesme të lartë (klasat 10-12).

Ndërsa ka një përqindje të lartë të fëmijëve dhe adoleshentëve të regjistruar në arsim me mbi 90 përqind, për shumë fëmijë, shkollimi mund të mos çojë në të nxënë. Në Kosovë, një pjesë e madhe e fëmijëve të moshës 7–14 vjeç (80 përqind) janë në gjendje të lexojnë saktë një tregim dhe një përqindje e lartë e tyre janë në gjendje të identifikojnë numrat (88 përqind). Sidoqoftë, më pak se gjysma e fëmijëve demonstrojnë aftësi bazike të leximit dhe numërimit që janë ekuivalente me klasën 2 – e cila përfshin përgjigjen në pyetjet e të kuptuarit gjatë leximit dhe kryerjen e detyrave matematikore siç janë dallimi i numrave, mbledhja e numrave dhe njohja dhe plotësimi i modeleve. Fëmijët që jetojnë në familjet më të varfra në mënyrë specifike demonstrojnë rezultate më të ulëta të të nxënit bazik.

Dhuna ndaj fëmijëve
Kosova, 1 në 7 nëna / kujdestare të fëmijëve të moshës 1-14 vjeç kanë raportuar se ndëshkimi fizik është i nevojshëm për të edukuar, rritur ose arsimuar një fëmijë siç duhet. Ndërsa 24 përqind e fëmijëve të moshës 1-14 vjeç disiplinohen vetëm me metoda jo të dhunshme, një pjesë e madhe e fëmijëve (72 përqind) raportohet se disiplinohen me dhunë (agresion psikologjik dhe / ose ndëshkim fizik)

Mjedisi
Të jetosh në një mjedis të favorshëm dhe të shëndetshëm është qenësor për mirëqenien e të gjithë fëmijëve dhe adoleshentëve. Në Kosovë, 1 në 4 fëmijë nën moshën 5 vjeç jetojnë në ekonomitë familjare më të varfra dhe vetëm 7 përqind e femrave dhe 12 përqind e meshkujve të moshës 15-49 vjeç kanë sigurim shëndetësor. Vetëm 20 përqind e anëtarëve të ekonomive familjare jetojnë në ekonomi familjare që kryesisht përdorin lëndë djegëse të pastra dhe teknologji për gatim, ngrohje të hapësirës dhe ndriçim. Ndërsa shumica e popullsisë së ekonomive familjare në Kosovë ka shërbime bazike të ujit të pijshëm dhe shërbime bazike të kanalizimit (rreth 90 përqind), rreth 23 përqind e popullsisë konsumon ujë të ndotur me Escherichia coli.

Për më shumë informacion mbi anketat e MICS 2020 në Kosovë me popullatën e përgjithshme dhe komunitetet romë, ashkali dhe egjiptianë, vizitoni http://mics.unicef.org/

Rreth UNICEF
UNICEF promovon të drejtat dhe mirëqenien e çdo fëmije, në gjithçka që bëjmë. Së bashku me partnerët tanë, ne punojmë në 190 vende dhe territore për ta përkthyer atë zotim në veprim praktik, duke përqendruar përpjekjet e veçanta në ndihmën ndaj fëmijëve më të cenueshëm dhe të përjashtuar, për të mirën e të gjithë fëmijëve, kudo që janë.
Për më shumë informacion në lidhje me UNICEF dhe punën e tij për fëmijët, vizitoni http://www.unicef.org/unicefkosovoprogramme.
Ndiqni Programin e UNICEF në Kosovë në Twitter dhe Facebook

* Të gjitha referencat për Kosovën të kuptohen në kuadër të Rezolutës 1244