Si do vendoset përparësia për kryerjen dhe shpërndarjen e vaksinës

0
122

Me një vaksinë kundër Covid-19 që duket të jetë në horizont, zyrtarët shëndetësorë po shohin përpara për të trajtuar kapitullin e ardhshëm të pandemisë: Si do vendoset përparësia për kryerjen dhe shpërndarjen e vaksinës.

Pfizer njoftoi të hënën se të dhënat tregojnë se vaksina e saj e mundshme është 90% efektive në parandalimin e virusit.

Drejtuesit e ndërmarrjes thanë se duhen më shumë të dhëna për sigurinë për të përcaktuar nëse ka efekte anësore, por ata parashikojnë që të dhënat do të jenë në dispozicion në fund të nëntorit.

Sipas Departamentit Amerikan të Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore, një vendim përfundimtar për përparësinë e vaksinës nuk do të merret derisa të vijë koha për ta shpërndarë atë, por grupe të ndryshme ekspertësh kanë dhënë rekomandimet e tyre se kush duhet të marrë dozat e para.

1. CDC – Centers for Disease Control and Prevention (Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve)

Një panel këshillues nga CDC tha se dozat e para të vaksinës duhet t’u shpërndahen katër grupeve:

– Personeli i kujdesit shëndetësor

– Punëtorët në industritë thelbësore dhe kritike

– Njerëzit me rrezik të lartë të Covid-19 për shkak të një gjendjeje mjekësore të rëndë

– Njerëzit që janë 65 vjeç e lart

Paneli tha se personeli i kujdesit shëndetësor është në vijën e parë të pandemisë, prandaj ata janë në një rrezik më të madh të ekspozimit. Punëtorët në industritë kritike që ndihmojnë në mirëmbajtjen e shërbimeve thelbësore gjithashtu kanë më shumë nevojë për mbrojtje.

Prania e një vaksine është gjithashtu e rëndësishme për popullatën me rrezik të lartë dhe qytetarët e moshuar, për të shmangur një fluks të pakontrollueshëm të pacientëve në spitale.

2. Universiteti Johns Hopkins

Johns Hopkins Bloomberg, Shkolla e Shëndetit Publik, në gusht publikoi rekomandimet e saj për përparësinë e shpërndarjes së vaksinave, duke i ndarë sipas niveleve.

Niveli 1 (prioritet absolut) duhet të përfshijë:

– Pjesëtarë të ekipeve që përballen të parët me pandeminë: Staf mjekësor

– Grupet dhe individët e shërbimeve shoqërore thelbësore: Transport publik, prodhim dhe shpërndarje ushqimesh dhe mësuesit.

– Personat më të rrezikuar, gratë shtatzënë dhe stafi i qendrave sociale.

Niveli 2 (në varësi të disponueshmërisë së vaksinës) duhet të përfshijë:

– Farmacistët dhe mjekët që kurojnë persona që nuk janë me koronavirus

– Personat që kanë vështirësi në aksesin e shërbimeve në rast se sëmuren: Banorët e zonave të thella dhe të largëta, me infrastruktura shëndetësore të pazhvilluara.

– Pjesëtarë të tjerë të shërbimeve shoqërore bazike: Media komunikimi, policia, zjarrfikësit.

Raporti deklaroi: “Në kohën e këtij shkrimi, mbeten shumë paqartësi të rëndësishme në lidhje me çështjet kryesore që duhet të merren parasysh në përcaktimin e përparësive.”

3. Akademia Kombëtare e Mjekësisë

Akademia Kombëtare e Mjekësisë shkoi me një qasje prej katër fazash në rekomandimin e saj për caktimin e një vaksine Covid-19.

Faza 1 do të përfshinte:

– Punëtorët me rrezik të lartë në objektet e kujdesit shëndetësor

– Njerëzit e të gjitha moshave me kushte shoqëruese mjekësore që i vënë ata në rrezik më të lartë

– Të rriturit e moshuar që jetojnë në ambiente të mbipopulluara

Faza 2 do të përfshinte:

– Punëtorët me rrezik kritik që janë në industri thelbësore për funksionimin e shoqërisë dhe me rrezikshmëri të lartë të ekspozimit

– Mësuesit dhe personeli i shkollës

– Njerëzit e të gjitha moshave me kushte mjekësore shoqëruese, që i vënë ata në rrezik mesatarisht më të lartë

– Të gjithë të rriturit e moshuar që nuk përfshihen në Fazën 1

– Njerëzit që jetojnë në shtëpi strehuese apo frekuentojnë mensat e ushqimit pa pagesë për të pastrehët

– Njerëzit në burgje, qendra paraburgimi dhe ambiente të ngjashme, si dhe personeli që punon në ambiente të tilla, etj.

Faza 3 do të përfshinte:

– Të rinjtë dhe fëmijët

– Punëtorët në industri thelbësore për funksionimin e shoqërisë dhe me rrezik të rritur të ekspozimit, që nuk përfshihen në Fazat 1 ose 2

Faza 4 do të përfshinte:

– Të gjithë ata që nuk janë në grupet e mëparshme

4. WHO/SAGE – The World Health Organization dhe Strategic Advisory Group of Experts

Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Grupi Strategjik Këshillëdhënës i Ekspertëve për Imunizimin morën një qasje tjetër në rekomandimet e tyre:

– Përparësia e parë duhet t’u jepet punonjësve shëndetësorë që janë në një rrezik shumë të lartë të kontraktimit dhe përhapjes së koronavirusit

– Prioriteti tjetër duhet t’u jepet grupeve socio-ekonomike të cilët janë në një rrezik më të lartë të prekjes nga sëmundja

– Pas kësaj, vaksina duhet të shkojë te grupet sociale / të punësimit, të cilët janë në një rrezik të ngritur të sëmundjes sepse nuk janë në gjendje të mbajnë distancën sociale

Të gjitha grupet e ekspertëve mjekësorë inkurajojnë vendet dhe komunat që të shpërndajnë vaksinën mbi një bazë etike dhe të drejtë.

Burimi: FOX 11, A2 News, CNN, Anabel