Si do të ndihmojë teknologjia e Covid-19 për të luftuar kancerin

0
82

Teknologjia e ARN-së mesazhere (mARN) e përdorur në vaksinat Moderna dhe Pfizer kundër Covid-19 mund të përdoret gjithashtu për të luftuar kancerin, sipas ekspertëve.

“Qelizat kancerogjene prodhojnë proteina që mund të shënjestrohen nga vaksinat mARN. Përparimi në këtë fushë është raportuar në trajtimin e melanomës,” tha për Healthline Dr. Jeffrey A. Metts, shefi i stafit në Qendrat e Trajtimit të Kancerit në Amerikë në Atlanta. “Sidoqoftë, trajtimi i kancerit është i ndryshëm nga parandalimi i kancerit. Ne ke kemi parë rënie të kancerit të qafës së mitrës të arritur nga ndërgjegjësimi, depistimi dhe administrimi i vaksinës HPV në 10 vitet e fundit,” tha Metts.

“Vaksina HPV ka treguar që ne mund të parandalojmë 80% deri 90% të kancerit të qafës së mitrës dhe kjo është një strategji tepër e efektshme në lidhje me kancerin. Por nuk e trajton atë,” shtoi ai. Vaksinat e kancerit, megjithatë, zbehin kufijtë midis parandalimit dhe trajtimit.

Një inokulim tradicional, siç janë vaksinat për Covid-19, e ndihmon sistemin imunitar të trupit për të njohur dhe sulmuar qelizat virale. Një vaksinë e kancerit funksionon në mënyrë të ngjashme, duke mësuar sistemin imunitar të trupit për të njohur qelizat e kancerit, për të parandaluar kthimin e kancerit, ose duke kërkuar dhe shkatërruar tumoret në trup si një imunoterapi.

Pra, a do të kemi një të ardhme ku kanceri shërohet përmes vaksinave mARN, ose është të paktën më i shërueshëm? Përgjigjja është optimiste, “ndoshta”.

“Është ende herët, por konsiderohet një zonë e re premtuese për zhvillimin e ilaçeve,” tha për Healthline Anna Barker, zyrtarja kryesore e strategjisë në Institutin Lawrence J. Ellison për Mjekësinë Transformuese në Universitetin e Kalifornisë Jugore.