Shtyhet për në Shtator gjykimi në rastin “Ukë Rugova 2”

0
117

Gjykata Themelore në Prishtinë, për shkak të rrezikut të infektimit nga pandemia Covid-19, ka anuluar seancën gjyqësore edhe ndaj grupit të dytë të akuzuarve për dallavere me viza italiane, i njohur si rasti “Ukë Rugova 2”, raporton Drejtësia Sot.

Ky lajm është konfirmuar nga kryetarja e trupit gjykues Naime Krasniqi- Jashanica, e cila theksoi se si pasojë e rrezikshmërisë nga pandemia Covid- 19, kjo seancë është anuluar. Ndërsa, seanca e radhës është caktuar për datën 7 shtator 2020.

Po ashtu, sot për të njëjtat arsye është anuluar edhe gjykimi ndaj grupit të parë të akuzuarve në këtë rast i cili ishte caktuar të mbahej duke filluar nga ora 09:30.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, e cila përfaqësohet nga prokurorja Florije Shamolli, nga maji 2011 deri më shkurt 2014, djali i ish-presidentit historik të Kosovës, Ukë Rugova ishte drejtues i një grupi kriminal i cili në këmbim të një shume prej 3000-4000 euro siguroi 556 viza shengen për 526 persona të ndryshëm nga gjithsej 614 aplikacione për vizë sa ishin bërë në ambasadën italiane në Kosovë.

Kujtojmë se për shkak të numrit të madh të akuzuarve kjo çështje penale është ndarë në dy pjesë. Në grupin e parë të akuzuarve për dallavere me viza italiane janë Ukë Rugova, Florian Petani, Qefser Baholli, Izet Beqiri dhe ish Ministri i Kulturës Astrit Haraqija.

Ndërkaq, në grupin e dytë bëjnë pjesë të akuzuarit Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Ragip Gashi, Visar Beqiri, Hamza Beqiri, Azem Koskoviku, Edison Idrizaj, Beg Shaqiri, Hasan Shaqiri, Driton Voca, Valon Selimi, Fadil Ahmeti, Haxhi Islami dhe Kujtim Avdyli.

Të njëjtit akuzohen nga Prokuroria Speciale se duke qenë anëtarë të grupit të themeluar, organizuar, mbikëqyrë dhe drejtuar nga Ukë Rugova dhe Izet Beqiri, kanë marrë pjesë në furnizimin e individëve me viza Shengen nga Ambasada Italiane në Prishtnë të cilat janë marrë në mënyrë të paligjshme ose përmes korrupsionit.

Ndryshe, ky rast është duke u gjykuar pranë Departamentit për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë.