SHSKUK nuk e mohon se pati rënie të oksigjenit në Mjekësinë Sportive

0
136

Shërbimi Spitalor Klinik Universitar ka dal me një deklaratë në të cilën nuk është mohuar rënia e oksigjenit në njësinë intensive në objektin e Mjekësisë Sportive në QKUK.

Gazeta Shneta pak minuta më parë ka raportuar se ka pasur rënie të oksigjenit në këtë njësi, por menaxhmenti i SHSKUK-së ka thënë se pacientët nuk janë të rrezikuar.

“Në lidhje me raportimet e disa medieve se ka pasur probleme dhe rënie të sasisë së furnizimit me oksigjen në Objektin e Mjekësisë Sportive, Shërbimi Spitalor dhe Klinik Univeristar i Kosovës, njofton se furnizimi me oksigjen në klinikat e QKUK-së, përfshirë edhe këtë objekt është nën monitorim dhe mbikëqyrje të vazhdueshme nga ekipet e sektorit teknik dhe nuk ka pasur rrezikim të jetës së pacientëve”, thuhet në njoftimin e SHSKUK-së.

Gazeta ka kërkuar sqarime nga drejtori i SHSKUK-së Dr. Valbon Krasniqi nëse është duke u marr mepër rastin e mbrëmshëm ku ka pasur rënie të oksigjenit, por Krasniqi nuk ka dhënë sqarime.

SKANDAL: Sërish bie oksigjeni në QKUK, kësaj radhe në Mjekësinë Sportive

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës po vazhdon të ketë rënie të oksigjenit të njësitë intensive ku po trajtohen pacientët me Covid-19.

Gazeta Shneta ka siguruar dëshmi të cilat tregojnë se mbrëmë në njësinë intensive në objektin e Mjekësisë Sportive në QKUK ku po trajtohen rastet e rënda me Covid, ka pasur rënie të oksigjenit.

Gazeta nuk ka mundur t’i publikojë dëshmitë për të mos ekspozuar sinjalizuesit, por ato tregojnë se në 24 orët e fundit sistemi i oksigjenit ka pasur probleme.

“!!! O2 supply down”, është alarmi i cili është shfaqur në respiratorët e intensivës në mjekësinë sportive në QKUK. Gazeta ka mësuar se menaxhmenti i QKUK-së po merret me këtë problem.

Kujtojmë se rënia e oksigjenit është dyshimi kryesor për vdekjen e 4 pacientëve të dielën në Klinikën Infektive në QKUK. Për këtë rast Policia e Kosovës ka nisur hetimet.

Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj ka deklaruar se duhet të pritet raporti i prokurorisë për të zbardhur dyshimet nëse ka pasur problem apo jo me sistemin e oksigjenit, ndërsa ish-drejtori i SHSKUK-së Basri Sejdiu i cili u shkarkua të hënën ka mohuar të ketë pasur probleme dhe rënie të oksigjenit të dielën.

Ai ka thënë se kishte kërkuar raport nga menaxherët dhe përgjegjësit e shërbimeve teknike dhe sipas tij nuk ishin raportuar probleme të tilla. /Gazeta Shneta/