Shqipëria thirrje strukturave hoteliere të bëhen gati për hapje: Po shpërndajmë protokollet e sigurisë

0
105

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi deklaroi sot se në fund të muajit maj pritet të ketë një lehtësim të lëvizjes brenda rajonit, ndërsa u shpreh optimist edhe për fluturimet në një moment të dytë.

Gjatë një interviste televizive, ministri Klosi tha se qeveria parashikon, nisur nga rezultatet e deritanishme, hapjen e bareve dhe restorante me 18 maj, sipas disa protokolleve, çka do të lejojë edhe hotelet të operojnë, jo vetëm në akomodim, por të hapen edhe me shërbimet e tjera.

“Kemi një vendimmarrje për të hapur baret e restorantet. Tani po shpërndajmë edhe protokollet e sigurisë nëpër këto struktura hoteliere që këta të mund të fillojnë përgatitjet, me ëndrrën që në fund të majit të fillojnë lëvizjet në kufij të paktën në rajon. Në fund të muajit maj shpresojmë të hapim këtë sektor”, tha Klosi.

Ministri bëri të ditur se fakti që ne operojmë me struktura të vogla që mund të menaxhohen më lehtë, na ndihmon të rikuperohemi më shpejt, pasi sipas tij, vendet e rajonit apo edhe Turqia, operojnë me struktura shumë të mëdha hoteliere, çka ua vështirëson hapjen. Por, shtoi ai, edhe sepse turistët vijnë edhe përmes rrugëve tokësore.

Ministri Klosi, po ashtu theksoi se Shqipëria ishte vendi i parë që ofroi një paketë mbështetëse për sektorin e turizmit, ndërkohë që vende të tjera ende nuk e kanë ofruar, ose e kanë ofruar pak ditë më parë, si rasti i Kroacisë.

“Janë 132 mijë qytetarë shqiptarë që kanë marrë mbështetjen financiare përmes dy paketave të Qeverisë“, tha Klosi.