Shqipëria rritje të fortë turistike, mbi 6 milionë në vit

0
156

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në Bari, Itali se “Shqipëria po përjeton një rritje të fortë turistike, po rritemi çdo vit. Në katër vitet e fundit praktikisht kemi dyfishuar numrin e turistëve, u nisëm nga 2,9-3,1 milionë në vit dhe tani jemi mbi 6 milionë në vit”.

Në fjalën e tij në forumin “Ekonomia blu e Mesdheut” në kuadër të panairit “Fiera del Levante”, në Bari, Itali, Kryeministri Rama theksoi se janë “shifra mjaft të rëndësishme, por edhe një sfidë për Shqipërinë, sepse duhet t’i përgjigjemi këtij fluksi me aftësi, mikpritje, infrastrukturë etj.”.

Kryeministri Rama u shpreh se “siç është e qartë që ka vetëm përfitim nëse bëhemi bashkë për të zgjeruar këtë hapësirë turistike, sigurisht duke përfituar nga ky ridimensionim i saj, i rajonit të Pulias, që është kthyer sot në një destinacion gjithmonë e më tërheqës, në të gjitha nivelet e konsumatorit turistik, por duke shtuar edhe Shqipërinë që po përjeton një rritje të fortë turistike”.

“Dua të them në fund që ka shumë dëshirë nga ana jonë për të ushqyer këtë lidhje me Puglian, një dëshirë që na vjen natyrshëm, jo vetëm se ne e shohim Puglian sot si një rajon të njohur. Është e qartë se suksesi i Puglias është një sukses edhe i bazuar në ndryshueshmërinë e instrumenteve të përdorura nga ato të 10-20 viteve më parë”, – nënvizoi Rama.

Sigurisht, vijoi ai, për këtë ne kemi një respekt të madh dhe një interes për të lidhur edhe botët universitare, botët akademike, shërbimet shëndetësore.

Kreu i Qeverisë u shpreh se “në fund të fundit jemi shumë afër. Për të ardhur dje në Bari na u desh gjysma e kohës për të shkuar në Verona. Sigurisht e bëmë me avion dhe koha e harxhuar ishte sa gjysma e asaj që duhet për të shkuar nga Tirana në Vlorë. Pra shumë afër”.