“Shqipëria po digjet”

0
50

Nga: Ragif Mulaj
Përkthimi: Agim Morina

Për hall tri rrashtash pa tru[2], tre milionë popull[3]këtu
Shihe si grihet! Çohu bre babë[4] prej vorri, çohu!
Të gjallët krah nuk i dolën, ti së paku arrij me kohë, baba,
Shqipnija po digjet… Kësaj here me shumë tmerr e hata!
Veç një gacë u fry ashtu, krejt xhehenemi volli këtu,
Rreth e qark e anembanë vendin e paska rrethu,
E çfarë zjarmi se: oxhak s’paska mbetë pa u shu krejt,
E ç’tufan se: gjithë luginat i paska djegë e rrënu shkret!
Një ftyrë të njohshme e lypa… E të tillë s’paska fare,
Veç shkretinë e thatë qenka, me pyetë: heshtje e varre!
Pa ftyrë të njohshme, asnjëni as kujtim s’paska, jo!
Jeta në rrënim e sipër, shih, as trup s’paska ajo!
Me trazu hinin, tash, prej përposh, pa thanë asnjë fjalë,
E dij: tre-katër copa eshnash ba thëngjill kanë me dalë!
Babë! Ma e dashuna nanë, atdheu yt i vërtetë[5], vallë,
A do të bahej fli i tre cubave[6]mashtrues e budallë?
Toka që gjyshi jem e lavroi, ku shpirtin e mbolli, u tret…
Na iku duersh: mbrapa s’kthehet kurrë ma, medet!
Ç’kish me të gjetë, me u pasë çu, vallë, e me pa?
Në kryet e Muranës a do të të ngulej kryqi,[7] baba!
Le të kthehen faltoret në shtalla! Ç’mynxyrë, o popull!
Ushtarë kroatë[8] le të shkelin tash tue vallëzu rrotull,
Të paktën një kujtim me pasë mbetë i gjallë mbi dhé,
Dheu po çahet, dheu po gëlltit tyrbe dëshmorësh, për be!
Kudo që të jem, para më del fushë e përgjakun me vesë…
A je ti, s’e dij, apo asht vegimi yt, Kosovë e pabesë!
Ku mbeti rrahja e mija hapave të tu krenarë mbi dhé?
Ku mbeti depërtimi i Jëlldërëmit[9] që çante si rrufe?
Mbreti Dëshmor[10] që të fle në gji e ushtarët ku janë tretë?
Ah, ku asht ajo fitore me flijim sot? Ku asht ajo festë?
Trego, Muranë[11], të ta puth – tue t’u përkulë – atë dhé,
A nuk kanë mbetë te ti dy-tre pika gjak të Muratit, the?
Ah, Muranë! Kjo ç’asht? Përreth teje a asht mejhane?
S’po e shoh kandilin, ku asht? Kjo, a asht kupë vene?
Po në haremin[12] tand, pijanecët me kapela kush janë?
Apo jam gabim? Jo, mos më fol! E dija, e dija, o Muranë!
A kish mujtë, mbi gjoks tandin, me shkelë opingë serbe, vërte?
Me sarëk mija dëshmorësh të shtruem kudo nëpër dhé.
A kish mujtë me fshi çizmen ma i poshtri ushtar këtu?
A kish mujtë me shkelë mbi ty si coftinë tue kalu?
Qe, ky flamur me tri ngjyra[13]në krye tash t’u ngul,
Kush doli me i pri këtij populli? Ky flamur pse s’u ul?
Ku mbet kombi profetik që popujve sfidë u bante me trimni? [14]
Nuk e pashë askënd, as një të vetmin në mejdan… Çudi!
Ku mbeti që po t’u prek hija e dinjitetit te pragu;
– Tërbimi i heroit s’pashitej pa shku posht gjaku
I tre e pesë vetave, se ushtari asht gjakvluem?
Qe pra dinjiteti berbat i kombit të poshtnuem!
Ku mbeti: ”Jabanxhiut emnin e bijave s’e llafos,
As të grues s’e thom… Të vras, mos më pyet, mos!”
Që nuk pranonin as regjistrim, krejt prej burrnije!
Ku mbetën, s’i treguen dot të vjetrat vepra trimnije! [15]
Në njënën anë të përdaltit, n’anë tjetër faqezij larashë,
Tue nëpërkambë oda burrash e shkelë dhoma grash!
Ku mbeti, o komb nënshtru prej robnnije, autonomija?[16]
Kam drojë se tash hise të ka ra e pambarim varfnija!
Ku mbeti, brumi përbashkues, pavarësia jote e brishtë?
Më duket synimeve tua u erdhi fundi përjetësisht!
Ku mbet e nalta andërr që “bashkimxhillarët”[17] ta kurdisën, pra?
Me vite të mashtroi ajo e nemuna andërr, për hava.
U pate përgjumë… Me u pasë zgju mynxyra a kish m’u ba,
Sa çel e mshel sytë, a do të zdritte agim i përgjakun tashma?
Hajduti malazez, gomari serb, bashkë me gjarpnin bullgar,
Masandej qeni grek, përtoqark rrethu vatanin me zjarr…
Tri ushtri mjerane me ta kthy atë armatë të patundun,
Me na përzanë tue na marrë prej dore vendin tonë të humbun…
E ndonjë prej familjesh të pambrojtuna me thika me u pre,
E ndonjë, tërheqë në prehën, ndër mija gjama me u shkrehë…
Dikujt nderi tue i shku posht, tjetrit hallall i qoftë gjaku…
O turmë rebele, ky asgjasim i dhembshëm të mpaku.
Ky turri jot asht marifet i tre-katër vetave debilë!
E pse, a nuk e prisje këtë fat poshtnues e rezil?
Ku mbete, milet islam ishe… Kombi ç’t’u desh, vallë!
Të kishe mbetë i stërlidhun me miletin tand përballë.
“Shqipni” ç’don me thanë? A ka vend në sheriat athu?
Kufër bahet, tjetër s’ka, kombin përpara me vu.[18]
A asht ma i mirë arabi prej turku, lazi prej çerkezit,
Po hebreu prej kurdi apo iraniani prej kinezit?
A ka ‘pluralizëm’ në myslimanllëk? Jo, qebesa, jo!
Idenë e kombësisë Pejgamberi e mallkon kudo.[19]
Asht përçamje e shpirtit profetik, ma i madhi dushman,
Emni iu shoftë atij mashtruesi që e mbolli n’islam,
Para mija vjetësh ky fat i joti të asht parathanë,
A asht e drejtë me pasë kaq mospajtim të gjanë?
O popull i mpakun, sabahu çeli, zgjohu, tashma!
Pak të erdhën ty ezanët, a me rrahë kjo kumbonë pra?
As turkllëk, as arabllëk s’ka me mbetë, hapi sytë, prore!
Të Pejgamberit famënaltë ndëgjo fjalën hyjnore!
Turku pa arabin s’mbijeton – veç n’tru të të marrit ka hy:
Kurse turku për arabin asht edhe dorë e djathtë, edhe sy,
Tue i ra njëni-tjetrit me krye; humbja asht ashiqare,
As qeveri s’mbetet aty, për zotin, as fe s’mbetet fare!
“Qytetnimi” ka kohë që jua tregon dhambët e rrallë,
Mbasi ju ban copë, don me ju përbi të gjallë,
Ja, ende muni me i pasë shqiptarët si shembull për ibret,
Ç’asht kjo politikë hileqare, ç’asht ky ngatërrim e siklet?
Shumica s’po e shihni, keni marrë rrugë të shmangët,
Përzini hajdutin që po ju prin, atë mendjemangët!
Ngoni mirë çka po ju thom: unë, po, shqiptar jam,[20]
Tjetër s’kam çka thom… Ja, vendi jem i vramë…