Shqipëria humbet përfundimisht gjyqin, do të paguajë 110 milionë euro për mbylljen e një televizioni

0
64

Shqipëria humbi përfundimisht gjyqin me sipërmarrësin italian Francesco Becchetti, lidhur me dëmshpërblimin e kërkuar nga ai për mbylljen e televizionit “Agon” në vitin 2015.

Qendra Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve (ICSID) një gjykatë arbitrazhi, pjesë e Bankës Botërore, e dënoi Shqipërinë në Prill të vitit 2019 me 110 milion euro, duke gjykuar se mbyllja e televizionit ishte “motivuar politikisht”. Ky dënim përfaqëson dhe vlerën më të lartë me të cilën Shqipëria është dënuar nga një gjykatë arbitrazhi.

Autoritetet shqiptare reaguan duke kërkuar anullimin e vendimit të marrë. Në Gusht të vitit 2019 ICSID pranoi ankimimin duke urdhëruar pezullimin e përkohshëm të ekzekutimit të vendimit të saj. Kërkesa për anullim është një formë e jashtëzakonshme rekursi e parashikuar në mbrojte të parimeve themelore juridike që lidhen më një process. Një palë mund të kërkojë anullimin e plotë ose të pjesshm të një vendimi duke u mbështetur së paku në një prej 5 rasteve të parashikuara nga vetë rregullat e ICSID-së: kur trupa gjykuese nuk është formuar në mënyrë korrekte; kur ajo ka tejkaluar hapur pushtetin e saj; kur është konstatuar rast korrupsioni nga një prej anëtarëve; kur është vënë re devijimi nga një prej rregullave bazë të procedurave dhe kur vendimi nuk ka mundur të dëshmojë motivet mbi të cilat është bazuar. Kërkesa e palës shqiptare, u bazua te shkelja e procedurave gjatë procesit të arbitrazhit, por Komisioni Ad Hoc i ngritur për shqyrtimin e rastit, nuk e ka gjetur të drejtë pretendimin e palës shqiptare, e cila do të duhet tanimë të paguajë dëmshpërblimin prej 110 milion eurosh.

Për t’u përfaqësuar në procesin e ankimimit, Avokatura e Shtetit shqiptar kishte përzgjedhur studion amerikane, Foley Hoag, me një eksperiencë në trajtimin e rasteve të tilla. Ndërsa përballë saj, sipërmarrësi italian Becchetti, përfaqësohej nga dy studio të mëdha ligjore, Debevoise & Plimpton, me seli në New York, dhe Quinn Emanuel Urquhart & Sullivan, me seli në Paris dhe New York./VOA