Shqipëria e pasur por e lënë në varfëri

0
572

Shkruan: Marin Mema

Shqipëria është një vend i pasur, por njëkohësisht edhe i varfër. Nuk është një lojë fjalësh e as ndonjë batutë e momentit, përkundrazi është realiteti në të cilin jetojmë të gjithë çdo ditë.

Shqipëria ka naftë, madje mjaftueshëm sa për t’u renditur si vendi me më shumë rezerva në Ballkanin Perendimor, por jo vetëm kaq. Gjeologët, ekspertët, ata që sot pak i pyesin, mendojnë se nëntoka sidomos nga Dumreja në Kepin e Rodonit, kaluar edhe përmes zonave të caktuara të kryeqytetit, dyshohet të jetë mjaft e pasur me rezerva të tjera nafte. Pikërisht për këtë arsye është projektuar hapja e një pusi të ashtuquajtur “Sauk 1” me thellësi rreth 5 mijë metra, por që ende nuk është realizuar.

Sot e gjithë vëmendja është përqëndruar në zonën e Shpiragut që do të përbënte rezervën e parë të shtuar në këto 28 vite. Pra e thënë më thjesht deri më sot kompanitë që kanë ardhur e ikur në Shqipëri janë kujdesur për të shfrytëzuar këtë pasuri strategjike të shqiptarëve, sesa të investojnë në kërkime të reja. Sipas ekspertëve një nga goditjet më të mëdha që ju dha këtij sektori ishte shkatërrimi i tij, duke u konsideruar fillimisht e gjitha si pjesa e industrisë jo-rentabël.

Shqipëria ka pasuri të konsiderueshme të kromit. Gjatë kohës së komunizmit vetëm Bulqiza mendohet të ketë dhënë rreth 15 milionë ton krom, ndërsa Shqipëria në tërësi renditej e treta në botë për numër popullsie. Sipas Shërbimit Gjeologjik, në të gjithë territorin e vendit ka ende të paktën edhe 45 milionë ton rezerva krom. Pra, Shqipëria vijon të jetë një vend i pasur me krom në raport me numrin e popullsisë. E këtu duhen llogaritur jo vetëm rezervat e njohura e zyrtare. Para viteve ‘90 konsiderohej i vlefshëm vetëm kromi mbi 20 e deri në 40 përqind i pasur, ndryshe nga sot ku teknologjia ka bërë të mundur që të pasurohen kromite edhe mbi 8 apo 10 përqind. Kjo do të thotë se rezervat janë disafish më të mëdha.

Bulqiza nuk është i vetmi vendburim kromi në Shqipëri, pasi ky mineral gjendet edhe në Martanesh, Tropojë, Kukës, Lurë, në zonën e masivit Shebenik – Pogradec, etj. Nafta dhe kromi janë konsideruar gjithmonë si dy ndër burimet më të rëndësishme natyre në vend, por jo të vetmet.

Industria e bakrit si një ndër më të vjetrat në Shqipëri punonte dikur me cikël të plotë. Prej saj realizoheshin një numër i madh produktesh e deri tek lingotat e arit. Nëse kërkon të kuptosh rëndësinë e saj mjafton të bësh një krahasim mes të punësuarve të dikurshëm të këtij sektori dhe atyre të sotëm. Diferenca është marramëndese nga rreth 12 mijë përfshirë edhe gjeologjinë dikur, sot ata janë tkurrur në jo më shumë se 700.

Por Shqipëria ka edhe sasi të konsiderueshme të Hekur- Nikelit dhe nikelit silikat, në rezerva që llogariten mes zonës së Librazhdit, Prrenjas – Pogradecit, Bilishtit, Hasit e Kukësit në rreth 364 milio6në ton. Për fat të keq edhe kjo pasuri në mase dërrmuese fle…

Në vend ka edhe platin apo zona të tjera me perspektive siç i quan Shërbimi Gjeologjik, për kërkimin e arit, ka boksite e mjaft lloje të tjera mineralesh që nuk i kanë as vende shumë më të zhvilluara se ne. Pa llogaritur këtu qymyrgurin, bitumin e rrallë për nga cilësia e më të cilin po shtrohen rrugët europiane, uraniumin e sa e sa pasuri të tjera të cilat është e pamundur t’i përfshish as në 100 shkrime.

E pra këto janë vetëm një pjesë e vogël, shumë e vogël e pasurive që ka Shqipëria.

A janë6 shfrytëzuar të gjitha në formën dhe mënyrën e duhur? Sigurisht që jo, përkundrazi.  E po kështu u braktisën fillimisht me shkrirjen e instituteve e me lënien mënjanë të të gjithë ekspertëve, studiuesit e profesorët e fushave të ndryshme, njerëzit që zbuluan të gjitha këto pasuri të shfrytëzuara sot nga firmat e ndryshme.

Është diskutuar shpesh se shumë prej këtyre mineraleve gjenden në thellësi të mëdha dhe se nxjerrja e tyre ka kosto të konsiderueshme. Megjithatë sipas ekspertëve realiteti nuk është i gjithi i tillë. Shqipëria është një vend i pasur, por që pak i evidentohen dhe i përdoren siç duhet pasuritë e saj.