“Shpia e Agës” sot në dy termine në Kino Armata, hyrja falas

0
270

Kino ARMATA
E enjte, 20 shkurt 2020
Në dy orare:
18:00h dhe 20:00h

“Shpia e Agës” / “Aga’s House” (2019)
Regjisore: Lendita Zeqiraj
Kohëzgjatja: 107 min.
Gjuha: Shqip
Titra: Anglisht
Hyrja: FALAS

Aga, një çun 9-vjeçar, është duke tentuar fshehurazi ta gjejë babanë e tij të zhdukur, derisa jeton me pesë gra të furishme në një shtëpi jashtë qytetit. Ai fiton të holla duke shitur cigare në rrugë, ku e takon Ceranë, një burrë arogant dhe abuziv i cili e ka të ndaluar nga gjykata t’i afrohet shtëpisë për shkak të keqtrajtimit të njërës nga gratë. Por kur njëra prej grave tenton vetëvrasjen, ai është i vetmi afër Agës për t’i ndihmuar ta dërgojë në spital.

E lindur në Kosovë, regjisorja e shpërblyer Lendita Zeqiraj është shpallur “Filmbërësja Kombëtare e Vitit 2014” dhe është shpërblyer me “Çmimin Vjetor për Kinematografi” nga Ministria e Kulturës e Kosovës. Ajo ka punuar në shumë filma të shkurtë dhe dokumentarë, të cilët kanë marrë pjesë në 300 festivale ndërkombëtare, si International Short Film Festival Oberhausen, Thessaloniki, Cairo, Leeds, Vilnius International Film Festival, Trieste International Film Festival, Hamptons Film Festival etj., duke fitur shpërblime në disa prej tyre.

Filmi i saj i fundit GARDHI, ka fituar Best Short Award në Palm Springs Int’l ShortFest, Hamptons dhe New Orleans Film Festival, është kualifikuar tri herë për shpërblimin Oscar®, si dhe vazhdon të udhëtojë nëpër festivale të ndryshme botërore.

Filmi i saj i kaluar i shkurtë BALLKONI, ka debutuar në përvjetorin e 70-të të Venice Film Festival dhe është shfaqur në 170 festivale ndërkombëtare, si Telluride Film Festival, Palm Springs Short Fest, Warsaw Film Festival, Busan International Film Festival etj. duke fituar mbi 35 shpërblime ndërkombëtare, përfshirë Shpërblimin Special të Jurisë në AFI FEST 2013.