Shpend Ahmeti: Tashmë secili do të paguajë edhe kur parkon në trotuar

0
41

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti thotë se tashmë secili vendparking që është në rrugë publike do të bëhet me pagesë, kjo është bërë me rregullore, dhe maksimumi që mund ta parkosh veturën është dy orë.

Për rezidentët e lagjes, do të ketë mujore, dhe e parkojnë sa të duan, dhe pagesa bëhet me aplikacion, me mesazh, me letra apo edhe me një llloj pajisje, kështu që ajo dhe aplikacioni tregojnë se ku mund të parkohesh në Prishtinë, ku ka vende të lira.

“Sepse diku vlerësohet se 30% e trafikut në qytet krijohet duke kërkuar parking. Mirëpo ne i kemi disa parkingje në Prishtinë, psh. te mbrapa Pallatit të Rinisë, gati gjithë ditën gjysma e parkingut është 50 centë por askush nuk parkohet. Mendoj që kemi distancë me ecë kudo deri te insitucionet nga parkingu maksimum 15 minuta dhe plotë qytete tjera po shkojnë drejt luftës ndaj makinave, e jo gjetjes së zgjidhjeve për parkingje. Tash e fillojmë, jemi në fazën e fundit të nënshkrimit të kontratës për parkingun nëntokësor te Fakulteti Filologjik, do të jetë më 700 vendparkime, 18 muaj merr kohë me e ndërtu, dhe pastaj mbyllet bulevardi “George Bush” nga Katedralja deri të “Zahir Pajaziti” vazhdon sheshi dhe bëhet park dhe më nuk hyhet me makinë”, thotë ai.

Ahmeti thotë se nëpër vite do e mbyllin më shumë rrugët për makina, dhe do hapen shtigje për bicikleta dhe për rekreacion.

Ai thotë se kemi relacion të quditshëm me makinat, si komb, sepse sipas statistikave, njerëzit më shumë shpenzojnë para në makina se në arsimimin e fëmijëve. Pra, në buxhetin familjarë tashmë dihet se familjet më shumë shpenzojnë buxhet për makina se për të paguar shkollat për fëmijë, dhe kjo nuk është e tillë në asnjë shtet të zhvilluar.

Ahmeti thotë se mund ta kritikojnë kur e thotë, por sipas tij, njerëzit kanë qejf ta shohin makinën teksa pijnë kafe./OxygenPress.Info