Shpellat, monumente të mbrojtura natyre që nxisin turizmin

0
124

Transformimi i shpellave nga monumente natyre në monumente të mbrojtura dhe destinacione turistike është një prej prioriteteve të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit.

Ministri Blendi Klosi zhvilloi sot një dëgjesë publike me qytetarë, speleologë dhe specialistë të fushës, për prezantimin e projektvendimit, që do të bëjë të mundur mbrojtjen dhe përdorimin e shpellave për qëllime turistike, si atraksione të reja për t’u eksploruar nga vizitorët vendas dhe turistët e huaj.

Në takimin e organizuar në Pëllumbas, Tiranë, një prej fshatrave të përfshirë në programin “100 fshatrat”, ministri Klosi theksoi rëndësinë e mbrojtjes së këtyre monumenteve të natyrës.

“Ne jemi një vend i pasur me shpella. Të tjerët nuk i kanë dhe i sajojnë, ndërsa ne i kemi dhe i dëmtojmë. Vendet e BE-së, vendet rreth nesh apo vendet që janë në fazën tonë të zhvillimit janë shumë më tepër të kujdesshme për pasuri të tilla, ndërsa ne i shfrytëzojmë pa kriter”, tha Klosi.

Ndaj ai theksoi angazhimin për ta kthye në atraksion turistik Shpellën e Pëllumbasit, si dhe shpellat e tjera me interes për t’u vizituar në vendin tonë.

“E kemi përfshirë Pëllumbasin në ‘100 fshatrat’. Prodhimet bio, natyra, shpella e Pëllumbasit si atraksion fantastik do të ishin kombinimi perfekt i natyrës dhe investimeve private”, tha Klosi.

Mbrojtja e një pasurie të tillë si shpella e Pëllumbasit, sipas Klosit, në asnjë rast nuk duhet të rrezikohet nga biznesi i guroreve, HEC-eve etj.

Vetëm në Vjosë, tha ministri Klosi, janë evidentuar nga ekspertët shqiptarë e të huaj, 82 pika për kanotazh, si dhe shpella si atraksione turistike.

“Projektvendimi që diskutojmë sot është një mekanizëm që do të shtojë vëmendjen drejt objekteve të tilla dhe t’i kthejmë ato në atraksione turistike”, tha Klosi./atsh