Shfaqja muzikore “ZGJIMI I PRANVERËS” më 15 dhjetor në Teatrin Kombëtar

0
43
Me 15 dhjetor, 2020 në ora 16:30 Teatri Kombëtar i Kosovës në bashkëpunim me Artpolis – Qendra për Art dhe Komunitet prezanton shfaqjen muzikore “Zgjimi i Pranverës” në Prishtinë nga autori Frank Wedekind me regji dhe adaptim të regjisores Zana Hoxha.
Për regjisoren e shfaqjes Zana Hoxha kryevepra e autorit Frank Wedekind “Zgjimi i Pranverës” ishte një thirrje artistike, dëshirë e nevojë për ta sjell atë në Kosovë, tutje duke e adaptuar atë në Kosovën e viteve të 90ta. Nevoja e të rinjëve për të kuptuar dhe për tu kuptuar ka qenë dhe vazhdon të jetë sfidë, sidomos historia që i ka përcjellë të rinjët tanë në vitet e 90ta, kohë protestash e rezistence, kohë kur liria kolektive dhe personale ishte e kufizuar nga regjimi politik i Millosheviqit dhe patriarkati mirëpo solidariteti mbante gjallë frymën e rezistencës kolektive.
Rinia dhe nevojat e natyrshme të rinisë nuk kanë qenë prioritet andaj edhe informacionet për seksualitetin, ndjenjat, dashuria e përvojat e tyre kanë qenë të limituara dhe të neglizhuara nga familja, shkolla e shoqëria. Dhuna në shkollë, abuzimi fizik dhe seksual, paragjykimet, shtatëzania e paplanifikuar dhe aborti kanë qenë dhe mbesin probleme reale të shoqërisë sonë Kosovare.
Kjo shfaqje zgjon nevojën për të ngritur në diskutim tema të tilla “të ndaluara”, për të folur për ndjenjat, seksin dhe përvojat e para teksa ato ndodhin, nevojën për t’i ditur të gjitha, për t’i kuptuar e për t’i përjetuar.
Kjo shfaqje duke përfshirë të gjithë krijuesit e saj i dedikohet të gjithë të adoleshentëve të rënë në vitin 1998-1999 në luftën e fundit në Kosovë.
Kjo shfaqje është vlerësuar edhe nga juria e ITF (International Theater Festival) SkupiFestival, e cila ka përzgjedhur “Zgjimi i Pranverës”, të autorit Frank Wedekind, me regji nga Zana Hoxhës si: “Shfaqja më e mirë”, duke e shpërblyer me çmimin “Grand Prix”, në edicionin e katërmbëdhjetë të ITF SkupiFestivali.
Juria ka vlerësuar shfaqjen për shkak të konceptit të saj të fortë regjisorial dhe estetikës bashkëkohore teatrore, duke sjellur një “drejtim të ri” të shprehjes teatrore ballkanike, që është në hap me atë evropiane, duke vepruar në fushën e “teatrit total”, duke përdorur muzikë, dramë, vallëzim dhe video, me aktrim që shtyjnë kufijtë e zakonshëm, duke përfshirë edhe reagimin e audiencës.
Produksioni: Teatri Kombëtar i Kosovës & Artpolis – Qendra për Art dhe Komunitet
Autor: Frank Wedekind
Adaptimi & Regjia: Zana Hoxha
Aktorët: Hajat Toçilla, Valmir Krasniqi, Labinot Raci, Arta Muçaj, Shkëlzen Veseli, Semira Latifi, Shpetim Kastrati, Qëndresa Loki, Verona Koxha, Flamur Ahmeti, Armend Ballazhi.
Muzikantët: Alzan Gashi, Arbër Salihu & Drin Tashi.
Koreografia: Robert Nuha
Kostumegrafia: Yllka Brada
Skenografia: Youliana Voykova – Najman
Inspicient: Bajram Mehemtaj
Asistente Teknike: Elira Lluka
Përkrahur nga: cfd, UNFPA, Kvinna till Kvinna