Shëndeti në dorën tuaj me përcaktimin e intolerancës ushqimore

0
376

Dr.Albana Daka/ Nutricioniste
A e keni menduar ndonjëherë se ushqimi që po konsumoni çdo ditë ju bën dëm? Ndoshta nuk e keni menduar që filetoja e pulës apo sallata që konsumoni çdo drekë në zyrë ju shkakton dhimbjen e vazhdueshme të kokës apo edhe problemet e lëkurës!
Është e rëndësishme të dihet se ushqimet që konsumoni kanë impakt të drejtpërdrejtë në shëndetin e trupit dhe lëkurës tuaj.
Shumë njerëz e kalojnë jetën e tyre pa e mësuar kurrë se intolerancat ushqimore janë shkaku kryesor i shëndetit të tyre të keq.
Janë të njohura alergjitë ushqimore, por dihet pak mbi intolerancat ushqimore, edhe pse në fakt të pasurit e një intolerance ushqimore është shumë më e zakonshme se një alergji ushqimore.
Intoleranca ushqimore është një reagim kronik i organizmit ndaj ushqimeve që konsumohen më shpesh (të tilla si: gruri, qumështi, domatet, vaji, mishi, kafeja etj)
Simptomat nuk shfaqen menjëherë pas marrjes së ushqimit, si në rastin e alergjive. Ato mund të shfaqen pas 2-3 ditësh ose më shumë pas konsumimit të një ushqimi të caktuar. Nga ushqimet që përdoren shpesh mund të shfaqet reagimi i vazhdueshëm i organizmit ndaj tyre. Reagimet mund të paraqiten në formë të “maskuar”; kjo do të thotë që në qoftë se një person që konsumon në ditë një ushqim që nuk mund të tolerojë, ai kurrë nuk mund të dyshojë që ushqimi është shkaku i problemeve të tij.
Pra, ndryshe nga alergjitë, intoleranca nuk prezantohet me simptoma të dukshme menjëherë pas ngrënies së ushqimit “fajtor”, por shfaqja ndodh me kalimin e kohës dhe reaksioni lidhet gjithnjë me sasinë e ushqimit të konsumuar.
Simptomat nuk janë në proporcion me sasinë e ushqimit. Edhe sasi të vogla të ushqimit mund të shkaktojnë intolerancë ushqimore. Intoleranca ushqimore mund të paraqitet në formën e shqetësimeve gastrointestinale (stomak i fryrë, nausea, diarre), çrregullimeve dermatologjike (dermatit, ulçera të gojës) ose inflamacion. Gjithashtu, mund të shfaqet me marrje mendsh, dhimbje koke, lodhje kronike, pagjumësi si edhe luhatje humori që mund të shkojnë deri në depresion.
Ka shumë substanca ushqimore që shkaktojnë intolerancë, shumë prej të cilave konsumohen çdo ditë dhe për të cilat ne nuk kemi asnjë dyshim, të tilla si: produktet e bulmetit, vezët, gruri, kafeja etj., të cilat mund të nxisin reaksione në disa organizma dhe mund të jenë të vështira për t’u diagnostikuar në fillim.
Simptomat dhe ndryshimet mund të shfaqen tek çdo organ ose sistem, duke implikuar funksionet e tyre. E vërteta është se çdo simptomë mund të ketë si shkak intolerancën ushqimore. Disa nga këto simptoma janë:
– Ekzema, akne, lëkurë e thatë dhe psoriasis.
– Gazra, fryrje, diarre, konstipacion dhe refluks
– Dhimbje koke dhe migrenë
– Lodhje kronike, përgjumje apo pagjumësi
– Alergjitë sezonale dhe astma
– Vështirësia në përqendrim
– Dhimbje muskujsh dhe kockash
– Ankth dhe depresion

Obeziteti dhe intoleranca ushqimore

Shumë shpesh ne i nënshtrohemi një diete hipokalorike, por në të shumtën e rasteve pa rezultat: nuk biem në peshë. Një faktor që duhet fajësuar është intoleranca ushqimore.
Ushqime të tilla si: sallata, peshku, karota, pula etj., janë konsideruar si “të lehta” dhe ato janë zakonisht pjesë kryesore e dietave të ndryshme. Megjithatë, në qoftë se ne nuk mund të tolerojmë këto ushqime, ato nuk metabolizohen në mënyrë korrekte dhe kështu “bllokojnë” organizmin tonë. Testi i intolerancës ushqimore tregon ato ushqime që duhen shmangur për një periudhë të caktuar kohe (zakonisht 2-3 muaj) dhe rezultatet (humbje peshe) janë spektakolare, madje edhe në javët e para!
Pse kemi rezultate të tilla spektakolare edhe në obezitet?
Shumë persona obezë kanë pasur rënie të konsiderueshme në peshë falë testit të intolerancës ushqimore. Ata kanë humbur peshë ndërsa kanë konsumuar vakte normale.
Magjike? Jo, në mjekësi nuk ka magji
Çdo person ka nevojë për një kalorazh të caktuar në ditë, për balancimin e nevojave të tij energjetike (pa humbur ose pa marrë peshë).
Për shembull, një njeri me metabolizmin normal dhe një punë të përditshme (si punë zyre) ka nevojë për rreth 3000 kcal në ditë. Por, nëse ky njeri ka intolerancë ndaj disa ushqimeve, sa herë që ai do të konsumojnë këto ushqime, trupi i tij do të reagojë, pasi ato janë toksike për të. Mbrojtja më e thjeshtë e trupit në raste të tilla është të ngadalësojë metabolizmin, duke u përpjekur në këtë mënyrë të ngadalësojë hyrjen e këtyre elementeve toksike në gjak.
Atëherë, ky njeri me metabolizim të ngadaltë ka nevojë për më pak kalori në ditë. Mos harroni! Këshilla “klasike” e dietologut është sugjerimi me dieta rreth 2000 kcal/ditë, në mënyrë për të mbajtur peshë stabile, dhe dieta me 1000-1500 kcal/ditë në qoftë se dëshirojmë të humbim peshë.
Le të shohim se çfarë ndodh kur një njeri që i nënshtrohet një regjimi ushqimor dhe aktiviteti fizik normal bën testin e intolerancës ushqimore. Në bazë të rezultateve të testit dhe veçanërisht një diete të personalizuar dhe programi ushqimor, ky njeri heq nga dieta e tij ushqimore ato ushqime që i shkaktojnë intolerancë ushqimore. Metabolizmi i tij do të kthehet në normalitet përsëri. Trupit të tij përsëri do t’i duhet 3000 kcal/ditë. Por tani, me metabolizmin e tij të ri ai kthehet në normalitet, dhe ka nevojë për 3000 kcal/ditë, që nënkupton se dieta ushqimore me 2000 kcal/ditë rezulton tashmë hipokalorike për metabolizmin e tij të ri (pa ushqimet që i shkaktojnë intolerancë). Në të njëjtën kohë, me metabolizmin e tij të ri ai kthehet në normalitet. Ky person është më energjik, ecën më shumë, luan me fëmijët e tij më shumë. Ai gjithashtu rrit nivelin e tij të efortit fizik, kështu që ai shpenzon edhe më shumë kalori. Pra, kjo është ajo që ndodh pas testit të intolerancës ushqimore.
Një gjë është e sigurt: kur ndiheni mirë me veten, ndjenja ju shoqëron në çdo aspekt të jetës tuaj të përditshme.

* Shënim: Shumat e kalorive të përmendura më lart janë përzgjedhur për të lehtësuar të kuptuarit e shembullit.