Shaqiri, mesazh për Manchester Cityn

0
37

Liverpool është duke kaluar një periudhë të shkëlqyeshme dhe është në rrugë të mirë të fitojë titullin e kampionit në Ligën Premiere, sukses që i mungon prej 29 vjetësh.

“Të Kuqtë“ kanë shkëlqyer edhe në ndeshjet e fundvitit duke i shënuar tri fitore në po aq ndeshje dhe aktualisht e kryesojnë renditjen, me 7 pikë më tepër se përcjellësi më i afërt, kampioni aktual, Manchester City.

Pikërisht City do të jetë rivali i Liverpoolit më 3 janar, një ndeshje që shihet si shumë e rëndësishme në garën për titull.

Për këtë arsye, mediet britanike insistojnë që presioni është te Liverpooli, por Shaqiri nuk vlerëson se është një problem serioz për skuadrën e tij.

“Presioni është kudo në jetë. Edhe në futboll ka gjithmonë presion. Kur je në vendin e parë të gjithë duan të të mundin, kështu që çdo ndeshje është shumë e vështirë. Jam i sigurt që mund të vazhdojmë me këtë ritëm, por kemi një rrugë të gjatë përpara. Duhet të ruajmë ritmin nëse duam të jemi të suksesshëm”, është shprehur Shaqiri.

“Ne nuk shkojmë në Manchester për të nxjerrë Cityn jashtë garës për titull, por për të luajtur një ndeshje të madhe në Premier League. Shkojmë atje për të treguar formën më të mirë dhe të përpiqemi të fitojmë ndeshjen. Ky është qëllimi i vetëm që kemi”, ka shtuar shqiptari me nënshtetësi zvicerane.

Ai është shprehur optimist se Liverpool më në fund do t’i gëzohet titullit.

“Po luajmë futboll shumë të mirë dhe kemi gjithçka për të qenë shumë të suksesshëm. Çdo gjë mund të ndodhë këtë sezon, por është një rrugë e gjatë për t’u përshkuar”, ka theksuar Shaqiri./OxygenPress.info