Shaip Kamberi vendos flamurin kuq e zi në Kuvend të Serbisë, reagojnë Daçiqi e Bërnabiqi

0
321

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi ka vendosur të enjten flamurin kombëtar shqiptar gjatë fjalimit të tij.

Menjëherë pas vendosjes reagoi kryeparlamentari Ivica Daçiq që i kërkoi Kamberit ta hiqte flamurin, duke i thënë se kjo është shkelje e rregullores.

Fillimisht ai reagoi ashpër, por më pas Kamberi e cilësoi si censurë heqjen e flamurit kombëtar.

“Me mirësjellje ju kërkoj të respektoni rregulloren e Asamblesë Kombëtare, që thotë qartë se është e ndaluar të shfaqen simbole të partive apo shteteve të tjera”, ka thënë Daçiq.

Pas kësaj deklarate, Kamberi kishte hequr flamurin.

Ndaj vendosjes së flamurit kombëtar reagoi edhe kryeministrja Ana Bërnabiq që tha se Kamberit më shumë i intereson të flasë për flamurin se për problemet në vend.

“Do të doja të flisnim për gjëra më specifike. Nëse ju mendoni se keni të drejtën të shfaqni flamurin tuaj, që të flasim për një flamur të një shteti tjetër, kjo flet për nivelin se sa reale janë problemet që i mendoni ju për shqiptarët në Preshevë e Bujanoc”, ka thënë Bërnabiq.

Më pas, Kamberi është përgjigjur duke i thënë se s’ka asgjë më të rëndësishme se identiteti.

“Nuk ka diçka më të rëndësishme se identiteti. Mund të kemi para dhe punë, por nëse s’kemi identitet e gjuhë… ky flamur është përdorur nga shqiptarët që nga viti 1443 dhe është më shumë flamur kombëtar se shtetëror”, ka thënë ai.

Diskutimi erdhi në ditën kur Kamberi kërkoi ndryshime në Ligjin për të Drejtat dhe Liritë e Minoriteteve duke thënë se “flamuri serb valvitet lirë në Graçanicë të Kosovës e në Kumanovë, por e njëjta s’vlen për tjerët në Serbi”.