Selimi: Dizajnimi i sistemit të llogaridhënies, përfshirë vettingun, duhet të jetë i implementueshëm

0
51

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, sot ka mbajtur një konferencë për media në të cilën ka folur për procesin e dizajnimit të sistemit të llogaridhënies duke përfshirë edhe vettingun.

Deklarata e plotë e ministrit Selimi:

Lidhur me procesin e vettingut, ne kemi vendosur që të krijojmë një proces konsultativ me të gjithë hisedarët e drejtësisë, përfshirë edhe grupin sipas vendimit nr. 0804 të datës 28.02.20 nga Qeveria e kaluar. Gjatë kësaj kohe, së bashku me Zëvendëskryeministrin Driton Selmanaj, kemi konsultuar Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Gjykatën Supreme, Prokurorinë e Shtetit, Gjykatën Themelore dhe poashtu kemi konsultuar partnerët tanë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, BE, Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë, Italinë, misionin e OSBE si dhe Shoqërinë Civile. Pas diskutimeve, kemi arritur në përfundim që të gjithë janë për që të jenë pjesë e një dizajnimi të sistemit të llogaridhënies, përfshirë edhe vettingun. Poashtu jemi pajtuar që ky proces të jetë gjithëpërfshirës dhe jemi pajtuar që të gjejmë mënyrën më të mirë se si ta zhvillojmë procesin e dizajnimit të sistemit të llogaridhënies duke përfshirë edhe vettingun.

Nga takimi që kemi mbajtur me grupin e ekspertëve të caktuar në vendimin 0804, kemi diskutuar gjerë e gjatë dhe jemi dakorduar që pas një kohe, ne si Ministri e Drejtësisë t’i dërgojmë termat e referencës dhe të dërgojmë vizionin tonë për gjithëpërfshirje, përfaqësim dhe vizionin tonë për inkluzivitet. Pasi që kemi dërguar propozimin për përfaqësuesit nga institucionet dhe termat e referencës të cilat i përmbajnë elementet kyçe të termave të referencës të komisionit të kaluar, përmes një deklarate publike, ky grup i ekspertëve ka dhënë dorëheqje duke i cekur disa nga arsyet se përse nuk dëshirojnë të jenë pjesë e këtij procesi.

Për të qenë korrekt dhe për të respektuar parimin mbi të cilin ne edhe kemi filluar që të mbledhim grupin gjithëpërfshirës, në vendimin i cili do t’i propozohet sot Qeverisë për aprovim, ne ende do ta mbajmë të hapur pikën ku grupi i ekspertëve është i mirëseardhur të merr pjesë në këtë proces të dizajnimit të sistemit të llogaridhënies duke përfshire edhe vettingun.

Pavarësisht deklaratës së tyre publike që më shumë ngjau politike, ne nuk do të bëjmë politikë si Ministri por do të kujdesemi që parimin që e kemi vendosur në fillim i cili është gjithëpërfshirja ta mbajmë deri në fund, andaj pikë e këtij vendimi do të jetë edhe çdo ekspert apo edhe grupi i ekspertëve që vendosin të kthehen dhe të kontribuojnë bashkë me hisedarët e drejtësisë që ta bëjnë këtë proces sa më të mirë dhe të implementueshem. Është shumë me rëndësi që të kemi një proces të llogaridhënies të cilin mund ta implementojmë duke përfshirë edhe vettingun.

Në përbërje të grupit ne kemi ftuar dhe diskutuar me hisedarët që të kemi nga një përfaqësues nga këto institucione: Zyra e Kryeministrit, Ministria e Drejtësisë, Këshilli Prokurorial i Kosovës, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Agjencia Kundër Korrupsion, Policia e Kosovës, Agjencia e Kosovës për Inteligjencës, Oda e Avokatëve të Kosovës, përfaqësues nga grupi i ekspertëve sipas pikës 1 të vendimit 0804. Gjithashtu në këtë grup do të ftohen në rolin këshillëdhënës edhe përfaqësues nga Ambasada e ShBA-së, Zyra e BE-së, Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar, Ambasada e Gjermanisë, Italisë, Francës, përfaqësues nga Misioni i OSBE-së dhe përfaqësues të tjerë nga Shoqëria Civile.

Pas konsultimeve që kishim me këta akter, të gjithë janë për gjithëpërfshirje dhe për një sistem inkluziv, i cili do të dal me dizajnimin e sistemit të llogaridhënies, duke përfshirë edhe vettingun, që mund dhe duhet të jetë i impementueshëm.