Sekreti i suksesit të madh të vendeve skandinave

0
243

Gati të gjithë e admirojnë modelin nordik. Vende si Suedia, Danimarka, Norvegjia dhe Finlanda kanë një produktivitet të lartë ekonomik, nivel të lartë të barazisë sociale, besim të lartë social, dhe nivele të larta të lumturisë personale.

Progresistët thonë se kjo gjë ndodh, pasi këto vende kanë sisteme shumë bujare të mirëqenies sociale. Disa libertarianë, pretendojnë se këto vende e vlerësojnë lart hapjen ndaj tregut të lirë. Ndërkohë, ata që mbështesin kufizimin e emigracionit, vërejnë se deri vonë ato ishin shoqëri etnike homogjene.

Por kombet nordike, ishin etnikisht homogjene në vitet 1800, kur ishin të varfra. Rritja e tyre ekonomike nisi menjëherë pas vitit 1870, pra përpara se të themeloheshin sistemet e tyre të famshme të mirëqenies sociale. Ajo që nxiti suksesin e kombeve nordike, ishin politikat fenomenale në fushën e arsimit.

Elitat nordike të shekullit XIX, bënë diçka që ne të tjerët nuk kemi qenë në gjendje ta bëjmë. Ato e kuptuan, që nëse donin vërtet përparimin e vendeve të tyre, duhej të ndërtomin “shkolla popullore” vërtetë të suksesshme për njerëzit më pak të arsimuar në mesin e tyre.

Ato e kuptuan se duhet ta shndërronin të mësuarit gjatë gjithë jetës, në një pjesë thelbësore të strukturës natyrale të shoqërive të tyre. Ata e shohin arsimin, ndryshe nga ne të tjerët. Fjala gjermane që ata përdorën për të përshkruar qasjen e tyre, bildung, nuk ka një ekuivalente të sajën në gjuhën angleze.

Bildung do të thotë një transformim i plotë moral, emocional, intelektual dhe qytetar i një personi. Ajo bazohej mbi idenë, se nëse njerëzit do të ishin në gjendje të arsimoheshin si duhet, dhe të kontribuonin në një shoqëri industriale në zhvillim, ata do të kishin nevojë për një jetë të brendshme më komplekse.

Sot, ne e mendojmë shpesh shkollimin si transmetim të grupeve të specializuara të aftësive të caktuara – pra që nxënësi të mund të lexojë, të kryejë ushtrimet matematikore, dhe të dijë disa fakte mbi biologjinë. Bildung, është krijuar për të ndryshuar mënyrën se si e shohin botën studentët.

Ajo është krijuar për t’i ndihmuar ata të kuptojnë sistemet komplekse, dhe për të parë marrëdhëniet midis gjërave – midis vetvetes dhe shoqërisë, dhe raportet midis një komuniteti në një familje dhe një qytet. Sikurse e theksojnë Lena Andersen dhe Tomas Bjorkman në librin e tyre “Sekreti Nordik”, bildung është mënyra përmes së cilës “individi maturohet dhe merr mbi vete përgjegjësi gjithnjë e më të mëdha personale, në raport me familjen, miqtë, bashkëqytetarët, shoqërisë, njerëzimit, globit dhe trashëgimisë globale të specieve tona, duke shijuar liri gjithnjë e më të mëdha personale, morale dhe ekzistenciale”.

Edukatorët nordikë, punuan shumë për të kultivuar ndjenjën e lidhjes të secilit student me kombin. Para shekullit XIX, shumica e evropianëve e identifikonin veten në aspektin lokal, dhe jo kombëtar. Por kurrikula nordike, nxiti tek studentët një krenari mbi historinë, folklorin dhe trashëgiminë e tyre.

Ideja ishte të krijohej në mendjen e studentit një ndjenjë e qarqeve më të gjera të përkatësisë – nga familja, tek qyteti dhe kombi – dhe një dëshirë për të marrë përsipër përgjegjësi të përbashkëta për të tërën. Edukatorët nordikë, punuan shumë për të zhvilluar vetëdijen e brendshme të studentëve.

Ata i ndihmuan studentët, të shohin forcat që lëvizin gjithnjë brenda vetvetes – emocionet, dëshirat, plagët dhe dëshirat. Nëse do t’i shihni këto forca dhe bashkëveprimin e tyre, si të ishit nga jashtë, ju mund të jeni zot dhe jo skllav i tyre.

Intuita e tyre ishte që teksa njerëzit rriten, ata kanë aftësinë të kalojnë nëpër faza zhvillimore, dhe ta shohin veten dhe botën përmes lenteve gjithnjë e më komplekse. Një fëmijë i vogël, mund t’i bindet verbërisht autoritetit – të mamit, babit apo mësuesit. Në atë moshë ai mësohet të konformohet me normat e grupit.

Pastaj mëson të krijojë normat vetjake, bazuar në vlerat e veta. Dhe më pas, mëson ta shohë veten si një nyje në një rrjet të vetvetes, dhe kështu mëson reciprotitetin dhe të menduarit gjithëpërfshirës. Qëllimi i bildung, është t’i ndihmojë njerëzit të ecin para përmes tranzicioneve të vështira midis secilës mënyre të parit të gjërave.

Kjo shtytje edukative, duket se ka pasur një ndikim të qëndrueshëm në kulturë. Pavarësisht nëse ndodhen në Stokholm të Suedisë apo Mineapolis të SHBA-së, skandinavët prirjen për të bërë shaka me mënyrën se si ndjenja e tyre e përgjegjësisë, është gjithmonë në kontrast me atë të të tjerëve.

Ato kanë nivelet më të ulëta të korrupsionit në botë. Kanë një kuptim të veçantë për marrëdhëniet midis lirisë personale dhe përgjegjësisë ndaj komunitetit. Besimi i lartë shoqëror, nuk ekziston pa asnjë arsye speficike. Kur njerëzit janë spontanisht të përgjegjshëm ndaj njëri-tjetrit në ndërveprimet e përditshme të jetës, institucionet e një shoqërie funksionojnë mirë.

Në shoqëritë e tjera, nëse fëmijët e privilegjuar shkojnë në shkollat ​​më të mira, nuk do të ketë shumë reciprocitet social. Nëse ato shkolla nuk ngjallin dashurinë për kombin, nuk do të ketë më shumë përgjegjësi të përbashkët.

Nëse keni një sistem arsimor të dobët, që nuk i ndihmon studentët të shohin lidhjet domethënëse midis njerëzve, nuk i ndihmon as studentët të shohin si duhet të shohin, dhe kësisoj do të përfundoni duke pasur një shoqëri në të cilën njerëzit nuk mund të shohin dot përmes “lentes” së njëri-tjetrit.

Kur sheh modelin nordik bildung, e kupton se problemi ynë nuk është vetëm që ne nuk i  trajnojmë njerëzit me aftësitë e duhura për punë. Por që ne nuk kemi modelin e duhur të zhvillimit gjatë gjithë jetës, dhe nxitjen e vetëdijes se njerëzit duhet të lulëzojnë në një shoqëri komplekse dhe pluraliste. / New York Times