Seancë gjyqësore ndaj grupit kriminal që akuzohet se përfitoi 2 milion euro në mënyrë të kundërligjshme

0
132

Drejtësia Sot, njofton se në Departamentin e Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore të Pejës, është caktuar data 16 tetor 2020, për të vazhduar me gjykimin ndaj të akuzuarve që ngarkohen me veprat penale “Krim i Organizuar”, “Mashtrim”, “Shpërlarje e parave”, “Shkaktim i falimentimit” dhe “Shmangie nga tatimi”.

Të akuzuar në këtë rast janë: Estrida Bunjaku, Vigan Bunjaku, Burim Vokrri, Xhemajl Arifi, Valon Orllani dhe Faton Orllani.

Lajmin për caktimin e kësaj seance për Drejtësia Sot, e ka konfirmuar kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Violeta Husaj-Rugova.

Sipas gjyqtares Husaj-Rugova, seanca e caktuar për datën 16 tetor do të filloj në ora 10:00.

Kujtojmë se seanca e fundit e caktuar për këtë rast ishte me 6 prill të këtij viti, mirëpo e njëjta ishte anuluar si rrjedhojë e vendimit të KGJK-së, me të cilin ishin reduktuar të gjitha aktivitetet gjyqësore nëpër gjykata e Kosovës, si masë parandaluese ndaj përhapjes së virusit COVID-19.

Prokuroria Speciale e Kosovës, në aktakuzën e ngritur në vitin 2016, të akuzuarit Estrida Bunjaku, Vigan Bunjaku dhe Burim Vokrri i ngarkon me veprat penale “Krim i organizuar” dhe “Mashtrim”, pasi që të tretë duke vepruar në formë të grupit kriminal kanë përfituar mjete financiare në vlerë rreth 2 milion euro, përmes mashtrimit të qytetarët lidhur me shitjen e banesave.

Pika e dytë e aktakuzës i ngarkon të akuzuarit Estrida Bunjaku, Xhemajl Arifi, Burim Vokrri, Valon Orllani dhe Faton Orllani, me veprën penale “Shpërlarje e parave”.

Ndryshe sipas kësaj pike të dispozitivit, mjetet e përfituara nga aktivitetet kriminale në vlerë prej 2 milion euro, të akuzuarit kanë tentuar ti konvertonin, transferonin, me qëllim të fshehjes apo të maskimit të natyrës, burimit, vendit ose pronësisë së pasurisë.

Ndërsa pika e tretë dhe e katërt e aktakuzës e ngarkon të akuzuarën Estrida Bunjaku edhe më dy vepra penale, atë të “Shkaktim i falimentimit” dhe “Shmangies nga tatimi”.