“Se s´dashuronja – as un´ as ti, po dashuronte dashurija”

0
238

Nga Lasgush Poradeci

Ku shtrohet vala përmbi zall
E fryn një këng´ e pakuptuar,
Të pashë, motër, plot me mall,
Më pe më shpirt të llaftaruar.
Q´ahere silleshim më nge
Gjith vet-i dytë, vet-e dytë…
Dh´i shtinja sytë gjith përdhe –
Gjithë përdhe m´i shtinje sytë…
Po me t´u ndarë vet e vet,
Më s´kishim turp që s´kishte fjalë…
Na rritej malli posi det,
Posi një det që vjen me valë:
E prapë silleshim më nge
Gjith vet-i dytë, vet-e dytë;
E prapë sytë gjith përdhe,
Gjithë përdhe pikonin sytë.
Q´ahere qamë plot me mall
Atë vështrimin e kaluar,
Ku shtrohet vala përmi zall
E fryn një këng´ e pakuptuar.
Se kish kuptim, që s´kish kuptim,
Kuptim´ i fellë – i mallit t´onë;
Se malli jon´ ish zotërim,
Që robëron përgjithëmonë;
Se s´dashuronja – as un´ as ti,
Po dashuronte dashurija:
Një dashuri – një fshehtësi,
M´e fshehur sesa fshehtësija.