“Save the Children”: Mbi 7 milionë fëmijë afganë përballen me urinë

0
36

Të paktën 7,3 milionë fëmijë në Afganistan mund të përballen me mungesë ushqimi në maj për shkak të pandemisë së koronavirusit, tha sot ”Save the Children”.

”Bllokimi në qytetet e mëdha afgane ka çuar në rritje të çmimeve të grurit dhe naftës në të gjithë vendin gjatë muajit të kaluar”, tha organizata.

Ndërsa çmimet e ushqimeve u rritën, aftësia blerëse e një pjese të madhe të afganëve, të cilët ishin të varur nga pagat me mëditje, ka rënë.

”Edhe para krizës Covid-19, mbi 5 milionë fëmijë afganë kishin nevojë për mbështetje humanitare”, thuhet në deklaratë.

“Ajo që na duhet është që bashkësia ndërkombëtare të sjellë urgjentisht furnizime ushqimore për t’u shpërndarë në disa nga komunitetet më të prekshme në vend, duke përfshirë fëmijë, gra shtatzëna, të moshuar, të kequshqyer dhe ata që janë të sëmurë”, tha Timothy Bishop, përfaqësues i organizatës në Afganistan.

Qeveria afgane njoftoi dje një program të shpërndarjes së ushqimit në kryeqytetin Kabul që siguron bukë falas përmes furrave lokale.