“Sa u përket fëmijëve, Është që ANJËHERË, ASNJËHERË të mos i lëmë afër televizorit”

0
122

Nga Roald Dahl

Gjëja më e rëndësishme që kemi mësuar,
Për sa u përket fëmijëve,
Është që ANJËHERË, ASNJËHERË të mos i lëmë
Afër televizorit.
Ose më mirë akoma, thjesht mos e blini
Këtë gjë idiote fare.
Thuajse në secilën shtëpi që kemi qenë,
I kemi parë duke u çuditur pas ekranit.
Ata shtriqen dhe rrijnë kot e sillen vërdallë,
Dhe shikojnë deri sa t’u dalin sytë.
(Javën e shkuar në shtëpinë e dikujt pamë
Dhjetra sy në dysheme.)
Ata ulen dhe shikojnë dhe shikojnë e ulen
Deri sa të jenë hipnotizuar prej tij,
Deri sa te jenë krejtësisht të dehur
Me gjithë atë bërllog të tmerrshëm.
Oh po, e dimë që i mban të qetë,
E nuk ngjiten dritareve,
Nuk zihen as nuk shqelmojnë as nuk godasin,
Të lënë të lirë ta bësh drekën
Dhe enët në lavaman t’i lash.
Por a je ndalur ndonjëherë të mendosh,
Të pyesësh vet se çfarë në fakt
Kjo i bën kalamanit tënd.
E KALB ARSYEN NË KRYE!
E VRET IMAGJINATËN KREJT!
E BLLOKON DHE KRIJON RRËMUJË NË MENDJE!
E BËN FËMIJËN TË TRASHË NË KOKË E TË VERBËR!
AI MË NUK MUND TË KUPTOJË
NJË FANTAZI, NJË TOKË PËRRALLASH!
TRURI I BËHET I BUTË SI DJATHI!
I NDRYSHKEN DHE NGRIHEN FUQITË E TË MENDUARIT!
NUK MUND TË MENDOJË – VEÇ SHEH!
“Në rregull!”, do të bërtasësh! “Në rregull!” do të thuash,
Por nëse e largojmë televizorin
Me çka do t’i argëtojmë
Fëmijët tanë të dashur? Të lutem sqaroje!”
Do t’i përgjigjemi kësaj duke ju pyetur,
“Me çfarë janë marrë të dashurit më herët?
Me çfarë kënaqeshin
Para se të shpikej kjo monstër?
A keni harruar? A nuk e dini?
Do t’jua themi zëshëm e qartë:
ATA… MERRESHIN … ME … LEXIM! LEXONIN e LEXONIN,
DHE LEXONIN e LEXONIN, dhe pastaj vazhdonin
Të LEXOJNË edhe më. Obobo! O Zot!
Gjysma e jetës së tyre ishte lexim!
Dhomat e fëmijëve ishin përplot libra!
Dhe në dhomën e gjumit, afër krevait,
Libra të tjerë prisnin për t’i lexuar!
Rrëfime aq të mrekullueshme, të fisme e fantastike
Për dragonjë, ciganë, mbretëresha dhe balena
Dhe ishuj thesaresh, dhe brigje të largëta
Ku kusarët kanë lundruar me rrema të mbështjellur
Dhe piratët me pantollona vjollcë
Dhe anijet që lundrojnë dhe elefantë.

Oh, libra, çfarë librash kanë ditur
Ata fëmijë që kanë jetuar shumë më herët!
Pra ju lusim, oh ju lusim, ju përgjërohemi, ju lutemi,
Hudheni televizorin,
Dhe në vend të tij vendosni
Një raft të mrekullueshëm librash në mur.
Pastaj mbushini raftet me shumë libra,
Duke i injoruar të gjitha shikimet e ndyra,
Piskamat dhe bërtimat, kafshimet dhe shqelmat,
Fëmijët që ju godasin me shkopinj –
Mos kini frikë, sepse ju premtojmë
Që, për një javë a dy
Që nuk do të kenë çfarë tjetër të bëjnë,
Ata tani do të nisin ta ndjejnë nevojën
E të pasurit diçka për të lexuar.
Dhe njëherë sa të fillojnë – oh Zot, oh Zot!
Do ta shihni gëzimin që rritet ngadalë
Duke i mbushur zemrat e tyre. Do të jepen aq shumë,
Do të çuditën çfarë kanë parë
Në atë makinë qesharake,
Atë ekran televiziv të neveritshëm, të kotë,
të papastër, të pështirë!
Dhe më vonë, secili dhe çdo fëmijë
Do t’ju dojë më shumë për atë që keni bërë.

Përshtatja: Shqipe Palloshi Zumberi