Sa muaj mund të jeni të mbrojtur nga Covid pas infektimit të parë

0
194

Njerëzit të cilët janë infektuar me Covid-19 ka të ngjarë të mbrohen nga një infeksion i dytë për të paktën pesë muaj, sipas një studimi të ri të udhëhequr nga Public Health England (PHE).

Studimi – i cili ende nuk është shqyrtuar nga kolegët – zbuloi se nëse dikush ka qenë i infektuar më parë, ka 83% më pak rrezik për t’u ri-infektuar, në krahasim me njerëzit që nuk janë infektuar asnjëherë. Por studiuesit paralajmëruan se mbrojtja nuk është absolute, që do të thotë se disa njerëz infektohen sërish me koronavirus.

Gjithashtu është e mundur që ata që kanë një shkallë të imunitetit ndaj virusit mund të jenë akoma në gjendje ta mbajnë virusin në hundë ose fyt dhe kësisoj, ta transmetojnë atë.

“Tani e dimë që shumica e atyre që janë infektuar me virus dhe kanë zhvilluar antitrupa, janë të mbrojtur nga ri-infektimi, por kjo nuk është njësoj për të gjithë dhe ne ende nuk e dimë se sa zgjat mbrojtja”, tha në një deklaratë Susan Hopkins, këshilltare e lartë mjekësore në PHE dhe bashkë-udhëheqëse e studimit.

Studimi do të vazhdojë të monitorojë punonjësit e kujdesit shëndetësor për 12 muaj për të parë nëse mbrojtja zgjat edhe më shumë, por tani për tani, mendohet se ata që u infektuan me virus në valën e parë, mund të infektohen sërish.

Burimi: CNN, Anabel