Rritet numri i braktisjes së foshnjave në QKUK

0
78

Në dhjetë muajt e parë të viti është rritur numri i braktisjes së foshnjave në Kliniken e Neonatologjisë të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës.

Gjatë këtyre muajve janë braktisur 38 foshnje.

26 prej tyre janë bashkuar përsëri me njërin apo dy prindërit biologjik, pas bisedave të shumta mes prindërve me punëtorët shëndetësorë, por edhe psikologët.

12 foshnjave të braktisura u është siguruar një “shtëpi e re” për të jetuar përmes një programi të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, shkruan Radio Evropa e Lirë.

Foshnjat në mungesë të nënave, përqafimin e parë e marrin nga infermierja Gjylie Fejzullahu, e cila punon qe 34 vjet në repartin e fëmijëve të braktisur.

“Unë i dua këto foshnje. Kam lidhje shpirtërore me to. Kontaktin e parë e kanë me ne, infermieret. Ne i lajmë, i pastrojmë, i ushqejmë, i duam shumë. Kur shkojnë prej klinikës, ne mërzitemi shumë sepse po lidhemi emocionalisht me këta fëmijë. Ndjej edhe dhembshuri për ta sepse në shumicën e rasteve, nënat që i braktisin nuk dëshirojnë t’i shohin fare”, tha Fejzullahu.

E detaje lidhur me numrin e foshnjave që gjenden në Klinikën e Neonatologjisë jep drejtori Xhevdet Gojnovci.

“Klinika e Neonatologjisë i trajton edhe foshnjat e braktisura që lindin në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike, por edhe ato rastet që gjenden në terren dhe që sillen në klinikë përmes punëtorëve socialë dhe policisë. Gjatë këtij viti në Klinikën e Neonatologjisë janë sjellë 38 raste sociale. Prej tyre, 26 janë bërë në bashkimin familjar ku njëri nga prindërit ka pranuar që të kujdeset për foshnje, ndërsa 12 raste sociale mbesin që të përkujdeset departamenti i mirëqenies sociale që funksionon në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale”,tha ai.

Gojnovci ankohet edhe për numrin e vogël të stafit.

Ai kishte kërkuar që stafi të rritet, por nuk është zgjidhur akoma.

“Edhe më herët ne kemi bërë ankesë për numrin jo të mjaftueshëm të infermierëve. Këtë vit kemi pranuar pesë infermiere. Ende kemi nevojë për infermiere/ë të rijnë. Por, foshnjat e braktisura kanë 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë dhe kujdesin maksimal e marrin nga infermieret ekzistuese”, tha Gojnovci.

Ndërkaq, vitin e kaluar kanë qenë 29 raste të foshnjave të braktisura.

Prej tyre, 20 fëmijë janë bashkuar me familjarë kurse nëntë raste janë marrë nga ana e departamentit për mirëqenien sociale që funksionon në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Një rast më i rëndë që kishte ndodhur këtë vit në këtë klinikë, ishte ai i një foshnje të braktisur, e cila kishte lindur me një sëmundje. Pas një jave në kujdesin intensiv të QKUK-së, ajo kishte ndërruar jetë.