Rreth 80 mijë euro përkrahje për trajnerin Driton Kuka dhe sportistët

0
151

Në bazë të rregullores për kategorizimin e sportistëve dhe trajnerëve, e cila parasheh përkrahjen financiare të tyre, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka nënshkruar memorandume bashkëpunimi me trajnerin Driton Kuka, dhe sportistët Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Distria Krasniqi, Loriana Kuka, Akil Gjakova, Shpat Zeka, Erza Muminoviq dhe Laura Fazlia, përcjell OxygenPress.

Trajneri Kuka në bazë të memorandumit mbështetet financiarisht për këtë vit në vlerën prej 26 mijë e 625 euro, me qëllim të realizimit të objektivave dhe synimeve duke i shfrytëzuar mjetet për realizimin e politikave programore të avancimit të sportit cilësor, njofton MKRS.

“Ndërsa sportistët u mbështetën veç e veç sipas shumave në vijim: Majlinda Kelmendi me 15 mijë euro, Nora Gjakova me 9 mijë euro, Distria Krasniqi me 7 mijë e 500 euro, Loriana Kuka me 6 mijë e 750 euro, Akil Gjakova me 6 mijë e 750 euro, Shpat Zeka me 3 mijë e 750 euro, Erza Muminoviq me 3 mijë euro dhe Laura Fazlia me 1 mijë e 500 euro. Sportistët, mjetet duhet t’i shfrytëzojnë për aktivitete dhe përgatitje sportive”, thuhet në njoftim./OxygenPress.info