Rrejn

0
65

Nga Edison Ypi

Rrejn kur flasin. Rrejn kur pyesin. Rrejn kur përgjigjen. Rrejn kur rrinë. Rrejn kur lëvizin. Rrejn kur hanë. Rrejn kur pijnë. Rrejn kur flenë. Rrejn kur ëndërrojnë. Rrejn kur dashurojnë. Rrejn kur urrejnë. Madje rrejn edhe kur rrejn. Dhe nuk rrejn rrallë e pa të keq, se ashtu e kanë tipin, të atillë e kanë vesin. Rrejn gjith kohën. Rrenin dje. Rrejn sot. Do Rrejn nesër. Do Rrejn deri ditën e fundit. Do rrejn deri frymën e fundit. Nuk rrejn as bukur, këndshëm, që të thuash se rrejn për humor apo rrejn për ta bërë të këndëshme bisedën për të larguar monotoninë, mërzitjen. Rrejn dosido. Rrejn si u vjen doresh. Rrejn pa u menduar. Nuk rrejn me arsye apo pa arsye, me shkak apo pa shkak. Rrejn kot. Rrejn pa e ditur pse rrejn. Rrejn sepse u duket se duhet të rrejn. Miku, armiku, shoku, kolegu, komshiu, i dashuri, e dashura, gruaja, burri, fëmija, të gjithë vetëm rrejn. Oqeani i rrenave ka mbështjell gjithçka si eteri materien. Vishen me rraqe gabi, dhe hiqen sikur ndjekin modën. I ngijnë flokët me xhel, dhe u duket vetja e bukur. Gjezdisin me Benzin e tjetrit, dhe ushqehen me marmalatë të mykur. Merimanga e rrenave ka hyrë në çdo qelizë. Me rrena hajdutin e shpallin zotni. Rrugaçin hero. Cubin Robin Hud. Budallain mendimtar. Hajvanin patriot. Mitomanin shkrimtar. Delirantin poet. Llafazanin opinionbërës. Dërdëllitësin këngëtar. Rrena këtu nuk është e pjesëshme, e përkohëshme, relative, që t’ja vlejë të mundohesh ta korrektosh. Rrena këtu është gjithpërfshirëse, finale, totale, definitive. Nuk Rrejn një herë që ti falësh, apo dy a tre herë që t’i mëshirosh. Rrejn pafundësisht. Rrejn pa turp, rrejn pa edukatë, rrejn pa vetpërmbajtje. Rren muhabetçiu, rren dyqanxhiu, rren nëpunësi, rren eprori, rren inferiori, rren deputeti, rren ministri, rren kryetari, rren sekretari, rrejn statistikat, rrejn deklaratat, rrejn konferencat. Rrejn edhe ata që paguhen për me i përcjellë rrenat pa rrejt; rrejn spiunat. Rrejn dhe rrehen të gjithë. Rren dhe rrehet inginieri. Rren dhe rrehet ustai. Rren i sëmuri mjekun. Rren shkrimtari lexuesin. Rren lexuesi shkrimtarin. Rren kafeneja, rren televizori, Rrejn tabelat që njoftojnë datën e fillimit dhe mbarimit dhe koston e punimeve në rrugë. Rrejn opinionistat, analistat, kazanistat. Rretheqark, rrena dhe vetëm rrena. Bërtit sa dheun ta tundësh. Ulurit sa dallgët e detit ti ngresh. Grise qiellin duke klithur. Gjurmën, hijen, e të vërtetës nuk i gjen dot askund, askurrë. As këtu, as atje. As në horizont, as kurrkund. Mund të kuturisësh në një mijë mënyra për ta parë a për ta prekur të paktën një grimcë të së vërtetës, makar një të mijtën saj, për t’ju lutur me përgjërim të thotë ku është e tëra, pse vetëm ikën dhe kurrë nuk vjen, pse largohet, pse fshihet, pse rrëshqet. E kotë. Pas hapit të parë për me zbulu të vërtetën, ndjen se befas je mbuluar i tëri nga të tjera rrena.