Roth: Shqipëria dhe Maqedonia plotësuan kushtet, i mbetet BE-së detyra për zgjerimin

0
60

Bashkimi Europian e tha fjalën e tij, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë përmbushur kushtet e përcaktuara nga Brukseli dhe ato i përkasin Europës, kështu që është fatale të lëmë hapësirën për aktorë të tjerë si Rusia, Kina apo Turqia, deklaroi ministri gjerman për Çështjet Europiane, Michael Roth në një opinion për gazetën ”Die Welt”.

”Po, ne duhet të reformojmë Bashkimin Europian. Por, thellimi i vonuar i BE-së nuk është në kontrast me zgjerimin e tij. Një Bashkim Europian më i madh, që është në të njëjtën kohë më i aftë, më sovran dhe më demokratik, mund të krijojë më shumë siguri për njerëzit e tij.

Prandaj, presidenti në largim i Komisionit të BE-së, Juncker, ka mjaft të drejtë kur thotë se ”është një gabim historik që liderët e BE-së refuzuan më 18 tetor dritën jeshile për përfshirjen e planifikuar të bisedimeve të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë”.

Kjo dështoi për shkak të unanimitetit të kërkuar. Shtyrja e një votimi pozitiv shkaktoi një habi si në Ballkan ashtu edhe në BE, sepse BE-ja u qëndron fjalëve.

“Të dy vendet kanë përmbushur kushtet e vendosura nga BE. Komisioni Europian ka kohë që e ka vërtetuar këtë në raportet e tij”, tha unioni.

Përmbushja e të gjitha kushteve në Ballkanin Perëndimor për paqen, pajtimin dhe demokracinë duhet të jetë qëllimi ynë kryesor, sepse rajoni nuk është oborri i pasmë i shtëpisë europiane. Ai është kopshti në zemër të shtëpisë! Stabilizimi dhe lidhja e rajonit është në interesin e menjëhershëm europian dhe gjerman.

Kur BE i kthen shpinën Ballkanit Perëndimor, ajo ia lë hapësirë aktorëve të tjerë, si Rusia, Kina apo Turqia, ku interesi i tyre kryesor, sigurisht që nuk është forcimi i demokracisë dhe shteti i së drejtës.

Një vendim pozitiv do të dërgonte sinjalin e nevojshëm, sipas të cilit BE është serioze për përgjegjësinë e saj për të gjithë Europën dhe perspektivën e pranimit për Ballkanin Perëndimor.

Blloku do të vlerësonte faktin që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë bërë një punë të shkëlqyeshme dhe vazhdimisht kanë nxitur reforma. Në të dy vendet, popullsia dhe qeveritë kanë provuar shumë gjatë dhe përsëri se janë të gatshëm të bëjnë kompromise të dhimbshme për afrimin me BE-në.

Ndryshimi i përsëritur dëmton besueshmërinë e BE-së. Në rajon, fuqizon ato forca që nuk kanë asnjë interes për reformë dhe përparim. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zaev, tashmë ka njoftuar dorëheqjen e tij dhe zgjedhjet e reja për në muajin prill. Ekziston rreziku i një rikthimi në nacionalizëm dhe shpërthimit të plagëve të vjetra dhe konflikteve etnike.

BE duhet të bëjë detyrat e saj të shtëpisë! Fakti që fillimi i negociatave të pranimit në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ka dështuar kohët e fundit për shkak të rezistencës së individëve, është një pengesë e hidhur. Por, do të ishte e gabuar të fshihnim kokën në rërë.

Në pranverën e vitit 2020, kjo temë duhet të vijë përsëri në axhendën e krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së. Atëherë patjetër duhet ta sqarojmë se i përmbahemi perspektivës së pranimit. Vonesat e mëtejshme do të ishin të papërgjegjshme.

Ndërkohë, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria duhet të vazhdojnë përpjekjet e tyre për reforma. Ky është sinjali më i mirë për të gjithë skeptikët. Në të njëjtën kohë, ne duhet të bëjmë detyrat tona të shtëpisë me BE-në dhe të sqarojmë se si t’i tejkalojmë rezervat e shteteve anëtare.

BE, kohë më parë ka nxjerrë mësimet e saj nga dhënia e parakohshme e dritës jeshile në raundet e mëparshme të zgjerimit. Ne kemi rishikuar metodologjinë e proceseve të pranimit dhe tani përqendrohemi shumë në demokraci dhe shtetin e së drejtës.

Në muajt e ardhshëm, është e rëndësishme të intensifikojmë më tej bashkëpunimin me të dy vendet. BE nuk është mjaftueshëm e dukshme në Ballkanin Perëndimor. Komisioni i ri i BE-së, duhet të bëjë rajonin një përparësi kryesore!

Mund t’i ndihmojmë ata me ekspertë, në mënyrë që të çojnë përpara reformat e nevojshme. Si pjesë e procesit të Berlinit, ne duhet të jemi edhe më të përfshirë dhe të investojmë më shumë në bashkëpunimin rajonal”, përfundon ministri gjerman për Çështjet Europiane, Michael Roth në një opinion për gazetën ”Die Welt”.. /ATSH