Ronaldo dënohet me gjobë për evazion fiskal

0
94

Rikthimi në Madrid për Ronaldon, këtë herë për një çështje gjyqësore. Ylli botëror i futbollit u dënua sot nga gjykata spanjolle për evazion fiskal me dy vite burg, i cili nuk do të vuajë dënimin në burg, por një gjobë të rëndë financiare.

Dy vitet burg u ndryshuan me një gjobë prej 365 000 euro pasi në Spanjë dënimet deri në 2 vite burg nuk zbatohen në përgjithësi për personat pa precedentë penalë.

Gjyqtari i gjykatës së Madridit i ngarkuar me çështjen vendosi gjithashtu një ndëshkim financiar prej rreth 3, 2 milion euro ndaj sulmuesit portugez, i cili u transferua verën e kaluar nga Reali i Madridit tek Juventus Torino, sipas vendimit të publikuar nga gjykata, përcjell Atsh.

Një zëdhënës i gjykatës nuk konfirmoi për momentin nëse gjoba e vendosur nga gjyqtari i shtohej shumës së 18,8 milionë që Ronaldo kishte rënë dakord t’i paguante organit Tatimor sipas një marrëveshjeje të arritur qershorin e kaluar. I kontaktuar nga media, organi tatimpagues refuzoi komentet rreth çështjes.